Lufta në Ukrainë: Dita e 13-të

Ndërkohë pushtimi rus i Ukrainës vazhdon në javën e tij të dytë, numri i të vdekurve civilë po rritet, me disa qytete në nevojë të madhe për furnizime pasi trupat ruse i thyen premtimet për t’i mbajtur të hapura korridoret e evakuimit.

Më poshtë gjeni zhvillimet më të fundit nga Ukraina:

Paralajmërimi i presidentit Zelensky: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shfaq në zyrën e tij në Kiev në një video të publikuar të hënën, në të cilën i duartrokiti përpjekjeve të ushtrisë së tij dhe tha se do t’i vazhdonte bisedimet me Rusinë.

Në një intervistë të veçantë në ABC World News – “Sonte me David Muir” të hënën, Zelensky paralajmëroi se lufta nuk do të ndalet veç në Ukrainë.

“Të gjithë mendojnë se jemi shumë larg Amerikës apo Kanadasë”, tha ai. “Jo, ne jemi në këtë zonë të lirisë. Dhe kur kufijtë e të drejtave dhe lirive vazhdojnë të shkelen, atëherë ju duhet të na mbroni. Sepse ne do të jemi të parët, do të vini ju të dytët, sepse sa më shumë kjo bishë ha, po kjo bishë dëshiron më shumë, më shumë dhe më shumë.”

Korridoret e evakuimit: Disa përpjekje për t’i evakuuar civilët gjatë armëpushimeve të përkohshme kanë dështuar, me liderët perëndimorë që i akuzojnë forcat ruse se vazhdojnë t’i shënjestërojnë rrugët e miratuara paraprakisht.

Të dielën, një sulm rus goditi një pikë-kalimi evakuimi jashtë Kievit, duke vrarë tetë persona, përfshirë dy fëmijë që përpiqeshin të largoheshin.

Të hënën, ambasadori i Ukrainës në OKB e akuzoi Rusinë për bllokimin e përpjekjeve për t’i evakuuar civilët, duke shtuar se ishte “e tmerrshme” që trupat ruse po hapnin zjarr ndaj të evakuuarve pasi të dyja vendet kishin përcaktuar rrugë të veçanta për t’u përdorur si korridore evakuimi.

Pothuajse të gjitha rrugët e propozuara të Rusisë për të dalë nga Ukraina të çojnë në Rusi ose tek aleati i saj i ngushtë, Bjellorusia, të cilën autoritetet ukrainase e përshkruan si të papranueshme.

Rusia propozoi një ndalesë të re të përkohshme të sulmit të saj në pesë qytete të martën – Kiev, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol – për t’i lejuar civilët të largohen. Ukraina ende nuk është përgjigjur zyrtarisht.

Përplasja ushtarake: Sulmet e Rusisë u intensifikuan të hënën, megjithëse përparimi kryesor drejt Kievit nga forcat ruse mbetet “i bllokuar”, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane. Zyrtari në fjalë nuk kishte një përditësim se sa larg është një kolonë e madhe ushtarake ruse nga qendra e qytetit të Kievit.

Rusia ka angazhuar tashmë “gati 100%” të fuqisë luftarake që ishte organizuar në kufirin e Ukrainës dhe Bjellorusisë, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane të hënën.

SHBA njoftoi të hënën se 500 trupa shtesë amerikane do të vendosen në Evropë për ta përforcuar krahun e NATO-s, duke përfshirë Poloninë, Rumaninë, Gjermaninë dhe Greqinë. Këto trupa kanë për qëllim t’i mbështesin forcat amerikane tashmë në Evropë, thanë zyrtarët amerikanë. Administrata Biden ka thënë vazhdimisht se do t’i mbajë trupat amerikane jashtë konfliktit.

Viktimat dhe refugjatët: Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se më shumë se 1200 viktima civile janë regjistruar në Ukrainë, me të paktën 406 njerëz të vrarë – edhe pse ata thonë se është e vështirë të identifikohet numri aktual i vdekjeve dhe të plagosurve. 

Më shumë se 1.7 milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, me paralajmërimin e OKB-së se ky numër mund të arrijë në pesë milionë./CNN