Foto: Kallxo.com

Lufta ndaj lajmeve të rreme, BIRN mban trajnim për studentët e Mitrovicës

36 studentë të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” morën pjesë të enjten në një trajnim të organizuar nga BIRN rreth luftës ndaj lajmeve të rreme, ligjeve që rregullojnë mediat dhe mbrojtjen ndaj veprimeve ekstremiste në media.

Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ka folur për qëllimin e lajmeve të rreme dhe lajmeve të propagandës, pasojat e tyre tek moshat e reja dhe dëmet mbi shoqërinë. Poashtu ai është fokusuar edhe për ndërtimin e mendimit kritik gjatë leximit dhe rritjen e kapaciteteve për identifikimin e debateve të dyshimta tek të rinjtë.

Ndërsa, Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore dhe i Monitorimit në BIRN, ka trajtuar Etikën në gazetari dhe raportimin e së vërtetës si dhe pasojat e radikalizmit të dhunshëm dhe rreziqet nga përhapja e ideve që shtyjnë të rinjtë tu bashkëngjiten luftërave të huaja.