‘Lufta’ mes Xhafer Tahirit dhe MAPL-së për rrënimin e objektit të ish Gjykatës në Vushtrri

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal përmes një vendimi ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë për rrënimin e objektit të ish Gjykatës, pasi që një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin.

Në vendimin e MAPL thuhet se Komuna ka afat prej 30 ditësh që të rishqyrtojë vendimin për rrënimin e objektit të ish gjykatës.

Por, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk do të kthej në Kuvend Komunal vendimin për rrënimin e objektit të ish Gjykatës.

Tahiri për KALLXO.com ka paralajmëruar kallëzim penal nëse Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nuk tërhiqen nga ky vendimi.

“Nëse MAPL dhe ministri nuk tërhiqen nga ky veprim, Komuna e Vushtrrisë do të përgatisë kallëzim penal kundër ministrit Elbert Krasniqi dhe zyrtarëve të tjerë që janë përfshi në këtë rast të ndikimit politik e të kundërligjshëm”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Tahiri ka thënë për KALLXO.com se MAPL nuk ka kompetencë për vendimin e dhënë. 

“MAPL ka vepru për dicka që nuk ka kompetencë, ajo e ka shkel rregullorën 10/2019 për shqyrtimin e akteve të komunave. Vendimi në fjalë nuk bie në domenin e kompetencave të MAPL-së, për vlerësim të ligjshmërisë, pasi i njëjti akt që ka të bëjë me rrënimin e ish – objektit të Gjykatës Komunale lidhet me të drejtën e komunës që të marr vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve në pronën e komunës, për nevojat e komunës apo institucioneve vartëse të komunës”, ka thënë Tahiri.

MAPL në vendimin për rishqyrtim të vendimit të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë për rrënimin e objektit të ish gjykatës kishte konstatuar se titulli i vendimit nuk përkon me përmbajtjen. Kjo pasi që vendimi për rrënimin e objektit të ish gjykatës parasheh edhe shfuqizimin e një vendimi paraprak lidhur më dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës.

Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se ata kanë shqyrtuar vetëm anën teknike të vendimit, duke kërkuar ndarjen e vendimit fillestar të Kuvendit Komunal në dy vendime.

“Pas ndarjes së Vendimit, ashtu siç është kërkuar, Vendimi për rrenimin e objektit do të dërgohet në ministrinë sektoriale për vlerësim të ligjshëmrisë, ndërsa Vendimi për shfuqizimin e vendimit paraprak të datës 31.01.2019 lidhur me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës, do të vlerësohet nga MAPL”, tha Krasniqi.

Rregullorja 10/2019 e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në shtojcën ll të saj thotë se vendimet për, caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve në pronën e komunës për nevojat e komunës apo institucioneve vartëse të komunës, nuk i nënshtrohen shqyrtimit të detyrueshëm apo të rregullt të ligjshmërisë.

Ndërkaq për këtë paralajmërim, ministri i MAPL, Elbert Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se kjo ministri nuk i nënshtrohet asnjë presioni.

“Departamenti ligjor i MAPL-së nuk i nënshtrohet asnjë lloj presioni nga jashtë. Këtë çështje do ta rregullojë gjykata kompetente nëse është e nevojshme”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Sipas Tahirit, vendimi i MAPL është jashtë kompetencave të saj dhe është politik.

“Vendimi i MAPL është marrë me ndikim të kundërligjshëm politik të ministrit Krasniqi, për çka kemi dëshmi dhe fakte. Ministri e ka takuar nënkryetaren e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri Gresa Muli, në prezencën edhe të një personi të tretë dhe i ka premtuar rrëzimin e vendimit të Kuvendit të Komunës në MAPL dhe pikërisht këtë e ka bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë ai.

Gresa Muli nga LVV në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pretendimet e kryetarit Xhafer Tahiri janë të pa baza duke shtuar se do të shfrytëzojnë të gjitha mundësit ligjore për vendimin e rrënimin e objektit të ish Gjykatës në Vushtrri.

“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore për të mos lejuar këtë vendim të dëmshëm. Përndryshe pretendimet e kryetarit janë të pa baza. Ne e kemi bërë një ankesë të cilën mundemi me ua përcjell dhe gjithë çfarë kam përcjellë në ministri, ka qenë që të verifikojnë ligjshmërinë me përpikëri”, ka thënë Muli për KALLXO.com.

Kryetari i Vushtrrisë ka thënë se ka pranuar ankesa nga qytetarët për rrezikshmërinë e objektit të ish gjykatës.

“Komuna e Vushtrrisë ka pranuar ankesa nga qytetarët për rrezikshmëri të objektit për jetën e qytetarëve. Konstatimi i Inspektoratit Komunal është se objekti përbënë rrezik për jetën e qytetarëve. Prandaj Komuna e ka për obligim që duke u bazuar edhe në vlerësime të ekspertëve edhe në ankesa të qytetarëve, të veprojë për largimin e rrezikut për jetën e qytetarëve”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se në rast se Komuna nuk përgjigjet brenda afati, atëherë autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj atë në gjykatë.

“Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokal Nr. 03/L-040, nëse komuna nuk përgjigjet brenda afatit apo refuzon kërkesën, apo mbështetë vendimin apo aktin e kontestuar për territorin e komunës përkatëse, brenda 30 ditësh pas dështimit për t’ju përgjigjur njoftimit për refuzim apo mbështetë aktin apo vendimin e kontestuar, autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj aktin në fjalë në gjykatën kompetente”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

MAPL ia kthen vendimin Xhafer Tahirit për rrëzimin e objektit të ish Gjykatës në Vushtrri