Lufta kundër COVID: Serbia me rreth 2 milionë vaksina, Kosova asnjë

Serbia është në vendin e parë në rajon sa i përket furnizimit me vaksina kundër COVID-19, kështu sipas një grafike të REL.

Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor i vetmi shtet pa asnjë vaksinë është Kosova, pavarësisht premtimeve të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj se vaksinat do të vijnë gjatë muajit shkurt.

“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, kishte thënë Zemaj më 1 shkurt të këtij viti.

Ndërsa në Kosovë pritet që kontingjenti i parë të vijë në javën e parë të muajit mars, Serbia aktualisht ka rreth 2 milionë vaksina.

Ushtruesja e Detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, dje gjatë një interviste tha se pritet që Kosova të furnizohet me vaksinat antiCOVID. Ajo tha se kontingjenti i parë pritet të vijë në javën e parë të muajit mars, ndërsa kontingjenti i dytë në muajin qershor.

Po ashtu edhe shtetet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të furnizuara me vaksina antiCOVID.

Maqedonia e Veriut ka rreth 8 mijë e 200 vaksina, ndërsa Mali i Zi ka 7 mijë vaksina. REL