'Lufta' e MPB-së për furnizim me targa të automjeteve

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se është shpallur kompania fituese për furnizim me targa.

KALLXO.com ditët e fundit ka marrë raportime nga qytetarë të ndryshëm se ka mungesë të targave të veturave, ani pse kanë kryer procedurat e regjistrimeve të veturave.

KALLXO.com gjatë javës së kaluar kishte kërkuar sqarime nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të dijë se cili ishte shkaku i mungesës së targave.

Të njëjtit gjatë ditës së djeshme me anë të një njoftimi kanë thënë se qytetarët që nga data 25 nëntor do të mund të pajisen me targa.

Në faqen zyrtare të E-Prokurimit thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së djeshme ka njoftuar për dhënie të kontratës për furnizim me tabela të veturave.

Sipas njoftimit, MPB kishte kërkuar furnizim me targa të veturave, sasia e të cilave ishte gjithsej 38 mijë targa, 31 mijë targa me regjistrim të Republikës së Kosovës dhe 7 mijë të tjera me regjistrim KS.

Madje në po të njëjtin njoftim përmendet se procedura e Ri-tenderimit për ‘’Furnizim me targa për Regjistrimin e Automjete’’ ka filluar ne muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe ka pasur vonesa për shkak të disa ankesave të operatorëve ekonomik që kanë qenë në procedurë të shqyrtimit në OShP.

Ankesat kishin të bënin kryesisht kundër raportit të matjeve të mostrave nga Laboratori i Forenzikës-AKF.

Në shtator të këtij viti, në faqen zyrtare të E-Prokurimit, kishte dalë njoftimi se është marrë vendim për pezullim të aktivitetit të prokurimit për “Furnizim me targa të regjistrimit të automjeteve- Ritender”.

Ky vendim ishte marrë më 24 shtator, pikërisht kur në njoftimin e MPB-së thuhej se në po të njëjtën datë planifikohej të nënshkruhej kontrata me kompanitë “TSR SH.P.K.; EHA Hoffmann International GmbH”.

Që nga shpallja e tenderit në dhjetor të 2018 e deri më tani Ministria e Punëve të Brendshme tri herë ka kërkuar furnizim emergjent për targa të automjeteve.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar në ri- tenderin për furnizim me targa për automjete ishin përshkuar në mënyrë të detajuar kërkesa e MPB-së.

Në përshkrimin e kërkesës së MPB-së, të njoftimit të 26 dhjetorit të vitit të kaluar, kërkohej furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve me 7 lloje te artikujve me sasi prej 17 mijë e 100 copë dhe 234 mijë e 404 palë.

Në mars të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme kishte anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizm me targa për regjistrimin e automjeteve nën arsyetimin se nuk kishte asnjë ofertë të përgjegjshme.

Në këtë tender kishin aplikuar pesë operator, “Malsija & Tonnjes”, “TSR & Eha”, “Diari & Utal”, “GSG & KIG- d.d & KIG”, “G3 Inxhiniering & Rade Konçar”.

Një muaj më vonë, në E-Prokurim ishte publikuar edhe vendimi për pezullim të këtij tenderi për shkak të ankesave të dërguara në OShP.

Në korrik të këtij viti në faqen zyrtare të E-Prokurimit, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar edhe një njoftim ku kishte thënë se anulon aktivitetin e prokurimit për furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve ri- tender, nën arsyetimin se kërkesat mbi mundësinë teknike dhe profesionale si dhe specifikimet teknike të përcaktuara në tender është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Më 17 shtator sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të publikuar në E-Prokurim, thuhet se MPB shpërblen me kontratë kompaninë “TSR-shpk & EHA Hoffman”.

Oferta e pranuar e këtyre dy kompanive kishte qenë 1,433.188 euro.

Vetëm pak ditë pas njoftimit për dhënie të kontratës, më saktësisht më 24 shtator të këtij viti, në E-Prokurim është publikuar edhe njoftimi për vendim mbi pezullim të aktivitetit të prokurimit për furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve , ri- tender nën arsyetimin se janë paraqitur dy kërkesa për shqyrtim.

Në njoftimin për furnizim emergjent me targa të automjeteve, thuhet se sasia e kërkuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme është 31 mijë targa të zakonshme me RKS me dimension 520 x 110 milimetra dhe 7 mijë targa të tjera të zakonshme me regjistrim KS me dimension 520 x110 milimetra.

Kjo kontratë i është dhënë operatorëve “G.S.G SH.P.K.; KIG d.d.; KIG KGA d.o.o”.

Në njoftimin për furnizim emergjent për targa të automjeteve të datës 9 gusht të këtij viti, MPB kishte kërkuar 18 mijë targa të zakonshme me regjistrim RKS me dimension 520 x110 milimetra dhe 3 mijë e 155 palë targa me regjistrim KS me dimension 520 x 110 milimetra.