Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Luan Nushi: Në Kosovë rreth 25% e objekteve të banimit janë të pashfrytëzuara

Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, ka thënë se në Kosovë janë rreth 20-25% e objekteve të banimit të pashfrytëzuara.

Gjatë debatit që po zhvillohet në KallxoPernime për Planin Hapësinor të Prizrenit, Nushi tha se në bazë të hulumtimeve që kanë bërë si Institut, në Kosovë nuk është e nevojshme me pas kaq shumë ndërtime.

“Në kohën e fundit e kemi bo edhe një draft të Hartës Zonale të Kosovës, edhe në kuadër të atij dokumenti i kemi bërë disa hulumtime, edhe hulumtimin e banimit në Kosovë. Në bazë të analizave, në bazë të informatave, që i kemi për Agjencionit të Statistikave, diku rreth 20-25% të objekteve janë të pashfrytëzuara, është fjala për objekte të banimit”, tha Nushi.

“Nuk e dimë saktë, por kryesisht janë prona të diasporës. Edhe sipas Planit Zhvillimor të Prishtinës, që na ka ardhë, aty thuhet se është diku rreth 21% të banesave të pashfrytëzuara”.

Nushi tha se ekziston një lloj konflikti i kërkesës dhe ofertës dhe tha se shpreson që të bëhet zgjidhja sa më shpejtë.

“Ne i hartojmë dokumentet, nuk dalim në teren me i ndalë ndërtimet, puna jonë është me hartu dokumente”, tha Nushi.

Në KALLXO.com po transmetohet debati i tretë prej një seri debatave që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave tona. Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore, Qytetarët Aktiv dhe Ec ma Ndryshe.

Sa janë qytetarët e përfshirë në planifikimin e qytetit të tyre? A i ka pyetur dikush sa kat duhet me qenë ndërtesat e qytetit të tyre? A është planifikimi urban i qyteteve tona në përputhje me standaret evropiane?

Në debatin për Prizrenin të ftuar për diskutim janë Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, Flutra Zymi nga Qyetetarët Aktiv, Beni Kizolli drejtor i Urbanizmit në komunën e Prizrenit dhe Enes Toska nga organizata Ec ma Ndryshe.