Luan Latifi, kryeshefi i KPM-së që u arrestua për korrupsion, deklaroi se ka mbi 50 mijë euro në banka

Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, është arrestuar pak momente më parë pasi po dyshohet se është zhytur në afera korruptive.

Ai po dyshohet se së bashku me drejtorin e Financave të këtij institucioni kanë marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro me premtimin për mosndëshkimin e një subjekti biznesor.

Latifi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka para të gatshme në banka mbi 50 mijë euro, prej të cilave 23 mijë janë në llogarinë e gruas ndërsa 11 në llogarinë e fëmijëve.

Shuma të majme në banka mban edhe i arrestuari tjetër në këtë rast Arben Bilalli. Ai ka deklaruar se së bashku më bashkëshorten e tij kanë para të gatshme mbi 93 mijë euro në banka.

I pari i cili përfundoi në pranga lidhur me këtë rast ishte drejtori i Financave, Arben Bilalli.

Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Ndërsa nuk vonoi shumë dhe për të njëjtin rast u arrestua edhe kryeshefi Luan Latifi.

Arrestimi i tij erdhi pas Prokuroria vlerësoi si të bazuar dyshimin se Latifi ka qenë në dijeni të qarta për kushtëzimet.

Ndaj Bilallit është kërkuar paraburgimi prej 30 ditësh.

Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.

Komisioni i Pavarur i Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.