Luan Latifi dhe Arben Bilalli lirohen nga paraburgimi

Ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi dhe drejtori financiar, Arben Bilalli, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Kjo masë Latifit e Bilallit u është zëvendësuar me arrest shtëpiak për dy muaj.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.

Ajo ka thënë se vendimi për masën është marrë më 23 shtator.

“Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të akuzuarve L.L dhe A.B me datë 23.09.2021 ka marr aktvendim dhe të njëjtëve ju është zëvëndësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për dy muaj, konkretisht deri me datë 22.11.2021”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Luan Latifi dhe Arben Bilalli ishin arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për korrupsion.

Arben Bilalli, drejtor i financave në Komisionin e Pavarur për Media del të jetë kapur në flagrancë. Kështu të paktën thuhet në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas kësaj dosjeje, Arben Bilalli së bashku me kryeshefin e KPM-së, Luan Latifin, ishin takuar me tre pronarët e një biznesi privat për të biseduar në lidhje me mosndëshkimin e tyre nga KPM-ja.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se pas këtij takimi, drejtori Bilalli i ka pranuar nga njëri prej bashkëpronarëve të biznesit shumën prej 8 mijë eurove të cilat ishin para të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës.

Në dosje përshkruhet se pasi janë marrë këto para, Bilalli ka qenë në kontaktim të vazhdueshëm me kryeshefin Luan Latifi. Pasi është ndaluar nga Policia e Kosovës, drejtorit të financave i janë gjetur 8 mijë eurot e Policisë së Kosovës të cilat janë përdorur për simulim.