Los Anxhelos në gjendje të jashtëzakonshme - 30 mijë të zhvendosur nga zjarret

Los Anxhelos ka shpallur “gjendje të jashtëzakonshme” derisa flakët e egra të zjarreve kanë përfshirë mijëra hektarë toke brenda pak orësh – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

Shefja e Brigadës lokale të zjarrfikësve, Kristin Crowley ka urdhëruar më shumë se tridhjetë mijë persona që të zhvendosen, derisa dy vatra të reja zjarri kanë shpërthyer në veriperëndim të qytetit.

Një reporter i BBC-së në terren ka thënë se banorët kanë deklaruar se asnjëherë më parë nuk kishte pasur flakë të ngjashme të rrufeshme në rajonin e Los Anxhelosit.

Pamjet dramatike kanë treguar shtëpi të mbërthyera në flakë në rajonin Palisades të Paqësorit. Banorët kanë thënë se kanë lënë shtëpitë dhe kanë braktisur makinat për t’iu shpëtuar flakëve. Edhe pamjet në mediat lokale në Los Anxhelos kanë treguar njerëzit duke ikur prej makinave derisa po afroheshin flakët. Janë parë makina që ende i kishin çelësat brenda, por që shoferët e familjarët e tyre ishin larguar rrëmbimthi nga rreziku i zjarreve.

Gene Kang nga mediumi KTLA ka thënë se banorët po mundoheshin që me makinat e tyre të mbërrinin në autostradën më të afërt në bregun e Paqësorit, që është edhe rruga kryesore për hyrje-dalje në rajon.

“Në rregull, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm.” – ka thënë reporterja, duke theksuar sesa shpejt flakët po shkonin drejt tyre. “Duhet të largohemi”.

Zjarri, i cili ka shpërthyer në orën 10:30 sipas kohës lokale të martën, është përhapur shumë shpejt si pasojë e kushteve jashtëzakonisht të thata mjedisore dhe erërave të fuqishme. Parashikimet e motit tregojnë se erërat do të vazhdojnë të jenë të fuqishme – duke iu fryrë flakëve të zjarreve drejt qytetit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com