Lokacioni i ri i varrezave të Gjilanit përplas pozitën e opozitën

Lokacioni i ri për vendosjen e varrezave të Gjilanit, i cili gjendet në lagjen “Zabel” ishte temë e vetme në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita në Gjilan.

Kuvendi Komunal i Gjilanit është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar në lidhje me lokacionin e ardhshëm të varrezave të qytetit.

Riza Avdyli, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së në Gjilan, në fillim ngriti shqetësimin se pse kryetari i komunës, Lutfi Haziri, nuk ishte në këtë seancë duke vazhduar më pas të kërkoj llogari se pse lokacioni është zgjedhur pa kritere.

“Dua të ngris një shqetësim, këtu nuk është askush nga zyra e kryetarit apo vetë kryetari, e as nënkryetari, është një temë shumë e rëndësishme dhe për atë edhe e kemi thirrë këtë seancë të jashtëzakonshme në pjesa e opozitës, kemi të bëjmë një çështje e cila është edhe e ngutshme por edhe e ndejshme. Ajo që na ka shty, dua të jap propozimin, ta thirrim këtë seancë të jashtëzakonshme është fillimi i punimeve në ndarjen e këtij lokacioni pa respektimin e asnjë procedurë”, tha Avdyli.

Ai shtoi se Komuna e Gjilanit nuk ka ndjekur asnjë procedurë për caktimin e lokacionit të varrezave të qytetit.

Avdyli tregoi se parcelat e zgjedhura si lokacion për varrezat e Gjilanit, janë parcela private.

“Propozimi i opozitës është që të formohet një komision dhe të pezullohet vendimi për zgjedhjen e lokacionit të ri të varrezave të Gjilanit dhe të formohet komisioni, e më pas ky komision të sjellë tri propozime tri lokacione në Kuvendin komunal dhe këta të fundit të vendos nga këto tri propozimet”, tha Avdyli.

Pas tij, Nevzad Isufi shef i grupit të asamblistëve të LVV-së në Gjilan, tha se çështja e lokacioni të varrezave është e veçantë vetëm për opozitën.

“Komuna ka plot probleme po ky i sotmi është i një natyre të veçantë, por po del që i veçantë është vetëm për opozitën sepse pozita po i shmanget kësaj çështje. Komuna nuk është përcaktuar për një pronë komunale të përshtatshme. Koha kur është planifikuar ky lokacion në vitin 2003, toka ka qenë në pjesën më të madhe në pronë publike të ndërmarrjeve tani është private. Për këtë lokacion, nuk ka destinacion për varreza nuk është pyet askush. Ky lokacion nuk është përfshirë në planet zhvillimore të qytetit”, tha Isufi.

Avdyl Aliu, shef i grupit të asamblistëve të LDK, tha se çështja e lokacionit të ardhshëm të varrezave të Gjilanit mund të diskutohej edhe në një seancë të rregullt.

“Dua të sqaroj që nuk ka mungesë të gatishmërisë për këtë çështje, por e kemi konsideruar që është një çështje krejt normale dhe kishim mujt me bisedu dhe në seancë normale, e kam  thirr Nevzad Isufin kam shprehur gatishmëri për me thirrë bashkë seancën por ka dashtë që kjo të thirret në mënyrë të jashtëzakonshme kish mujt me u prit për një seancë të rregullt”, tha Aliu.

Ai shtoi se kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për këtë çështje dhe për këtë arsye edhe po marrin pjesë në seancë.

Madje Aliu vuri në dyshim se në dy ftesat për seanca, nënshkrimet janë të ndryshme ndërsa iu drejtua asamblistëve Bujar Nevzadi dhe Imrane Thaçi se “a është e vërtetë që këta dy i kanë nga dy nënshkrime që i përdorin apo ka nënshkruar dikush tjetër në emër të tyre?”.

“Çështja e sotëm paraqet konflikt interesi, është çështje e ndjeshme”, tha ai.

Madje Aliu sqaron edhe se në vendin e Qeverisë së Kosovës për këtë lokacion thuhet se “pronat nuk mund të përdoren për qëllime të tjera përveç destiminimit e lokacionit për varrezat e qytetit”.

“Nëse këto prona nuk përdoren atëherë këto prona do të i kthehen AKP-së e më pas ju mundeni me ja qëllu çka ndodh me këto prona, AKP organizon shitjen e tyre dhe në këtë mënyrë ne do të ia ndreqnim penal këto prona me i ble këto prona”, tha Aliu.

Aliu madje tha edhe LVV gjithmonë ka diskutuar për politikat e këqija të AKP-së dhe tani del në kundërshtim me këtë rast.

Bujar Nevzadi nga PDK iu drejtua shefit të grupit të asamblistëve të LDK-së se po i jep kahje tjetër diskutimit.

“Po du me pyet Avdylin pse po i jep kahje tjetër, seancës së sotme. Mos fol, mos më ndërhyj në fjalim. E din ti sa kemi qenë PDK në pushtet, kemi thirrë për ty seancë, për banesat e tua. Nuk jena zotri Avdyl në vitin 2003 jemi 2020, dhe sa ndryshimet kanë ndodh, prej kur kemi marrë atëherë vendime, sa ndryshimet kanë ndodhur? Le të më bind mu një drejtor se ky lokacion i plotëson kushtet edhe për 50 vitet e ardhshme unë edhe njëherë pe ngriti dorën, cilido le të më bind duke i zbatuar të gjitha rregullat”, tha Nevzadi.

“Avdyli mirret me gjana krejt tjetër kund e gjuan topin, përgjigjuni këshilltarëve dhe qytetarëve dhe ne bashkërisht marrim vendim”, tha ai më tutje.

“Ne po themi, që ky lokacion nuk i plotëson kushtet prandaj kërkojmë që të merret një vendim dhe të shkohet tutje”, tha Nevzadi.

Drejtori i Kadastrit, në Komunën e Gjilanit, Sali Fazliu dha sqarime sa i përket lokacionit të varrezave.

“U thanë shumë fjalë, u thanë dhe fjalë rreth procedurave, nuk e kam ndërmend me zgjat shumë, por lidhur me nevojën e lokacionit të ri të varrezave është diskutuar menjëherë pas luftës pasi që është pa që lokacioni ekzistues shumë shpejt do të mbushet dhe nuk do të ketë hapësira për varret e reja”, tha Fazliu.

Ai madje shpjegoi se në afërsi të varrezave ekzistuese, është një lokacion por që për shkak se është e banueshme ka qenë e pamundur që të jetë ai lokacioni i ardhshëm i varrezave të Gjilanit.

“Është menduar, që këto varreza të zhvendosen ne një lokacion krejtësisht të ri. Në vitin 2003 siç është përmendur, është caktuar lokacioni, vendim për lokacion të varrezave të qytetit, janë përmendur shumë ngastra kadastrale. Si rezultat i vendimit, e kemi një shkresë nga Drejtoria për ndërmarrje dhe shërbime publike, i është drejtuar agjencionit AKM i cili ka menaxhu me pronat dhe ka kërkuar që të lirohet prona për lokacionin. Nuk kemi njohuri a ka përgjigje për këtë kërkesë, nuk ka kurrfarë zhvillime atëherë”, tha drejtori Fazliu.

Ai madje jep shpjegim se pse ishte zgjedhur ky lokacion.

“Është përpiluar një raport lidhur me këto detyra projektuese dhe është marrë vendim që ky lokacion të inkorporohet, kështu që në vitin 2008 ky lokacion është inkorporuar në planin zhvillimor të kuvendit komunal. Është tentu disa herë që këto prona të i kthehen komunës për këtë destinim për këto varreza për shkak të burokracisë apo motiveve të tjera, deri sa në vitin 2018 në qeverinë e Ramush Haradinajt, është përsërit kërkesa prapë dhe pas kërkesës e kemi parë që disa prona që janë cek si lokacion në vendim të vitit 2003 në ndërkohë janë privatizuar. Atëherë i kemi identifikuar disa prona që kanë qenë të lira dhe të paprivatizuara”, tregon tutje drejtori.

Bekim Bajrami, Drejtor i Urbanizmit tha se projekti i varrezave të Gjilanit është projekt model.

“Projekti që është bërë në atë kohë, sipas planifikuesve tanë, është e vërtetë që ka pasur ndryshime të pronës që ka qenë e paraparë, por prapë kemi bo planifikim projektim sepse është dashur zgjidhje urgjente. Kisha dashtë me thanë që është e vonuar. Po flasim për një projekt model në Kosovë, nuk kam parë një plan të tillë në komunat e tjera”, tha drejtori Bajrami.

Naser Korça, Drejtor i Shërbimeve Publike në Gjilan tha se infrastruktura në atë pjesë është shumë e mirë.

“Sa i përket infrastrukturës, absolutisht nuk qëndrojnë konstatimet se qasja në infrastrukturë apo rrugë drejtë varrezave është e vështirë. Qasje ka nga tri pjesë e qytetit dhe fshatit, aty është duke u bë edhe një rrugë moderne”, tha Korça.

Drejtori Korça madje akuzoi edhe asamblistin e PDK-së, Bujar Nevzadi, se ai dhe familja e tij është munduar që  t’i ndërpresë punimet e rrugës në po atë lokacion që është zgjedhur të jenë edhe varrezat e Gjilanit.

“Keni përdorur çdo metodë për ndalimin e punimeve edhe në rrugë e le më në varreza”, tha drejtori Korça.

Pas këtyre debateve, Kuvendi Komunal i Gjilanit ndaloi punimet për t’u rikthyer pas një pauze të shkurtër.