Lojërat Mesdhetare, kostoja dhe sfidat për Kosovën sipas Shenoll Muharremit

Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare më 2030. Por sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve ekonomike, Shenoll Muharremi ky organizim gjigant ka kosto dhe sfida.

Muharremi thotë se i gjithë investimi për organizimin e kësaj ngjarje multi-sportive do të jetë nga vetë shteti.

“Nga ajo që po lexoj qe dy ditë duket që organizimi i lojërave është një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe pjesëmarrjen e saj në komunitetin ndërkombëtar. Kosto preliminare parashifet të jetë 250 milion euro por me punët e ndërtimit shpesh ndodhë që vlera të hyp 20%, kështuqë ndoshta Kosovës do t’i kushtoj rreth 300 milion euro ky organizim. Financimi i investimit nuk do të bëhet nga askush tjetër pos ne vet! Ndoshta edhe kjo ka qenë aryesja pse askush tjetër nuk ka shfaqur interesim me organizu ngjarjen me 2030 kur ekonomitë tona janë në kriza të thella” – ka shkruar Muharremi në rrjetin social “Facebook”.

Ai gjithashtu përmend si sfidë edhe ndërtimin e akomodimeve, që sipas tij, Qeveria e Greqisë kishte anuluar organizimin vite më parë për shkak të kësaj.

“Qeveria mundet me pritë nga sektori privat me ndërtuar këto (sic sugjeroj ministri i qeverisë dje) por nuk di nëse ka një vizibilitet me ndërtu sektori privat një qendër apo fshat akomodimi për gati 4000 persona e që nuk do të shfrytëzohet pastaj” – thotë Muharremi.

Të themeluara në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multi-sportive që zhvillohet çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e tyre në atë që do të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar nga ajo deri më tani.

Kosova ishte kandidatja e vetme që garoi për ta siguruar organizimin e Lojërave Mesdhetare, pra nuk kishte kundërshtar. Kosova nuk ka bregdet, por iu lejua të kandidojë falë disa ndryshimeve në statut të ICGM-së, të cilat ua mundësuan edhe vendeve pa bregdet t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare.

Shqipëria është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në organizimin e lojërave, duke ia ofruar bregdetin e vet për garat në sportin e lundrimit.

Ky është postimi i plotë i Shenoll Muharremit:

Nga ajo që po lexoj qe dy ditë duket që organizimi i lojërave është një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe pjesëmarrjen e saj në komunitetin ndërkombëtar. Kosto preliminare parashifet të jetë 250 milion euro por me punët e ndërtimit shpesh ndodhë që vlera të hyp 20%, kështuqë ndoshta Kosovës do t’i kushtoj rreth 300 milion euro ky organizim. Financimi i investimit nuk do të bëhet nga askush tjetër pos ne vet! Ndoshta edhe kjo ka qenë aryesja pse askush tjetër nuk ka shfaqur interesim me organizu ngjarjen me 2030 kur ekonomitë tona janë në kriza të thella.

Infrastruktura ekzistuese nuk mjafton për organizimin e ngjarje-ve ku parashifet të marrin pjesë 26 shtet me rreth 3500 atletë. Kosova duhet të ndërojë salla sporti, akomodime, pishina, arena sporti etj për t’i organizuar rreth 250 ngjarje të mëdha sportive gjatë garave.

Kjo do të jetë një sfidë e madhe e organizimit për shkak se plafinikimi, prokurimi, ekzekutimi dhe pranimi i punëve publike mund të hasë në telashe kohë pas kohe (psh rruga Prishtinë-Mitrovicë qe 12 vite apo edhe renovimi i Stadiumit Olimpik Adem Jashari që po zgjatë që 5-6 vite minimum).

Ndoshta sfida më e madhe do të jetë ndërtimi i akomodimeve. Qeveria mundet me pritë nga sektori privat me ndërtuar këto (sic sugjeroj ministri i qeverisë dje) por nuk di nëse ka një vizibilitet me ndërtu sektori privat një qendër apo fshat akomodimi për gati 4000 persona e që nuk do të shfrytëzohet pastaj.

Qeveria e Greqisë kishte anuluar organizimin vite më parë saktësisht për shkak të kësaj pike. Ka refuzuar të paguaj, sic ka premtuar, rreth 160 milion euro për ndërtimin e fshatit apo ambienteve të akomodimit. Nuk di nëse është kusht të gjithë atletët dhe zyrtarët të akomodohen në të njejtin vend, por ashtu duket mbase.

Nuk është ekzagjerim që gjatë 6 viteve të ardhshme do të përballemi me sfida të ndryshme rreth organizimit ndërsa 300 milion euro të tatimpaguesëve kosovarë nuk do të kenë kthim të mirë apo ndonjë kthim ekonomik. Sportistët kosovarë do të përfitojnë më së shumti se do të kenë infrastrukturë për sporte andaj edhe sportet do të zhvillohen.

Një grup tjetër që do të përfitojnë janë firmat e ndërtimit. Do jenë mesiguri mbi 20 kontrata të mëdha ndërtimi e ndoshta 50 tjera të renovimeve dhe përshtatjeve të infrastrukturës së nevojshme. Kosova nuk do të përfitoj ekonomikisht se garat zgjasin disa ditë vetëm. Nuk besoj që ekonomia vendore do të përfitoj më shumë se 5% të investimeve, apo rreth 15 milion gjatë ditëve të mbajtjes së garave.

Në fund, Kosova ju gëzua një ngjarje të tillë, sidomos për shkak të pjesëmarrjes së saj në komunitetin e shteteve globale. Por kostoja që duhet ta paguaj është shumë e lartë për qytetarët e saj. Kosova duhet të paguaj rreth 10% të buxhetit të saj publik për organizimin e garave ndërsa investimi i 300 milion eurove për zhvillim të sektorit të procesimit, përpunimit dhe rifrigjerimit do të mund ndoshta ta ulte deficitin tregtar nga -50% GDP në vit në rreth -30%.

Nuk duket që dikush të ketë bërë një kost-benefit analizë paraprakisht nga dëshira e madhe që Kosova të organizoj një ngjarje ndërkombëtare. E argumenti që Serbia nuk mund ta ndali Kosovën në këtë rast është banal se kjo do na kushtoj me 300 milion euro, nuk vjen falas.