Bixhoz, Foto: Policia

Loja e bixhozit vë në pranga 13 persona në Ferizaj

13 persona janë vënë nën prangat e Policisë së Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme në Ferizaj nën dyshimin se të njëjtit po zhvillonin aktivitet të paligjshëm të bixhozit.

Të dyshuarit gjendeshin në një kafiteri rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në kohën kur policët hetues hasën gjatë kohës kur të arrestuarit veçse po kryenin aktivitetin në fjalë.

Tre nga të arrestuarit, F.K., 55-vjeçar, A.Sh., 23-vjeçar dhe R.F., 35-vjeçar, me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dhjetë persona tjerë janë liruar në procedurë të rregullt për procedura tjera hetimore.

Rasti është cilësuar si “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” përderisa gjatë aksionit të Policisë janë sekuestruar edhe disa pajisje e para.

Gjashtë pajisje tabletë, shtatë paketime të letrave të bixhozit dhe 2 mijë e 639 euro është thënë se janë sekuestruar në këtë rast.

E gjithë ngjarja kishte filluar në orën 20:00 kur në stacionin policor të Ferizaj ishte pranuar një informacion për kryerjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.