Lobimi në ShBA, gjykata pushon çështjen ndaj Bashës dhe dy zyrtarëve të PD-së

Gjykata e Tiranës vendosi në një seancë paraprake të pushonte hetimet mbi çështjen e parave të shpenzuara nga Partia Demokratike për lobim në ShBA.

I gjendur para një prokurorie e cila u paraqit në seancë me dy qëndrime të ndryshme mbi dosjen, një që kërkonte gjykimin e saj dhe një për rihapje hetimesh,  dhe që zëvendësoi një prej prokurorëve në kohën që gjyqi kishte filluar, gjyqtari Lazër Sallaku vendosi të hënën t’i japë të drejtë mbrojtjes dhe të pushojë çështjen.

Gjergji Tako një prej prokurorëve të çështjes i tha BIRN pas vendimit se “në parim vendimi mund të apelohej”, por se për të vendosur duhej pritur vendimi i zbardhur.

Ndërkohë që mbrojtësit e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani dhe  financierit Ilir Dervishi, e cilësuan prokurorinë të përdorur politikisht dhe vendimin e gjykatës si fundi i “gjuetisë së shtrigave”.

Prokuroria i nisi hetimet mbi këtë çështje pas një investigimi të BIRN që gjeti se Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë gjatë vitit 2017 për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që njëra prej transfertave u bë nga një kompani guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi u morën të pandehur në qershor të këtij viti për akuzat e “pastrimit të parave” dhe “falsifikimit”, sa i përket mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve paguar në emër të Partisë Demokratike për kompani lobimi pjesë e Muzin Capitol Partners drejtuar nga Nicolas Muzin.

Paratë u paguan sipas deklarimeve të kompanisë “Stonington Strategies” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD. PD deklaroi në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve vetëm pagesën 25 mijë dollarëve.

Megjithatë disa muaj pas marrjes së pandehur të Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD, dy prokurorë të çështjes Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën kërkesën për dërgimin e saj në gjyq vetëm për akuzën e falsifikimit. Prokurori tjetër Kol Hysenaj u duket se nuk ishte dakord me këtë përfundim. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj, bllokoi dërgimin e çështjes para gjykatës, duke pretenduar për parregullsi në dosje.

Ashtu siç dukej pas përplasjeve brenda institucionit të akuzës mbi përfundimin e hetimeve për çështjen e parave të lobimit të PD, Prokuroria e Tiranës u paraqit në seancën e gjykimit paraprak me dy qëndrime. Qëndrimi i parë ishte ai i dërgimit të çështjes për gjykim mbi akuzën e falsifikimit, ndërsa i dyti i rikthimit të saj për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë si për të shtuar konfuzion në qëndrimin e prokurorisë një prej prokurorëve të çështjes, Ervin Karanxha, u zëvendësua pikërisht gjatë kohës që po zhvillohej gjyqi, me një prokuror tjetër për arsye që ende nuk janë të qarta.

Karanxha tha se mësoi vendimin për zëvendësim në seancë. “Më zëvendësuan dhe u largova. Zbatova ligjin”, pohoi për BIRN prokurori Ervin Karanxha.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj i tha BIRN gjatë një komunikimi me mesazh telefonik se apelimi apo jo i vendimit do të vendosjen nga prokurorët e çështjes. “Besoj pasi të kenë marë vendimin e arsyetuar nga gjykata”, shtoi ajo. Ndërkohë, Imeraj nuk preferoi të komentonte lidhur me deklaratën e Ristanit dhe për zëvendësimin e prokurorit gjatë gjyqit.  Të njëjtën gjë tha edhe Gjergji Tako një nga prokurorët e çështjes. Prokurori Kol Hysenaj nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN lidhur me qëndrimin e tij për vendimin e gjykatës, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. Ndërkohë, nuk u arrit të mësohej se cili ishte zëvendësuesi i Karanxhës në këtë çështje.

Mbrojtja e Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, i kërkoi gjyqtarit Sallaku pushimin e çështjes duke pretenduar se nuk ka prova dhe nuk egziston fakti për të cilin janë hetuar. Pasi gjykata u njoh me pretendimet e palëve vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve dhe pushoi çështjen.

“Vendimi i Gjykatës ishte një vendim drejtësie, u provua se ishte një akuza e stisur dhe PD nuk ishte fare pjesë e kësaj dosje dhe vepra penale nuk ekzistojnë dhe faktet nuk ekzistojnë”, tha pas vendimit Eduard Halimi, që u paraqit në seancë si mbrojtës i Lulzim Bashës. Ai shtoi se ishte rrëzuar gjuetia e shtrigave.

Ndërkohë pas përfundimit të seancës, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani që ka qenë një prej të hetuarve, e quajti prokurorinë të çorganizuar.  “Prokuroria kërkoi dy gjëra. Më pas vjen edhe një urdhër i tretë që përjashtonte një prej prokurorëve, pra një çorganizim. Akuzë e montuar politikisht”, pohoi Ristani për mediet.

Menjëherë pas vendimit reagoi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili akuzoi prokurorinë se nuk ka hetuar çështjen dhe se nxituan për ta mbylluar atë.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim”, shkroi Balla në faqen e tij në Facebook. Ai e cilësoi seancës si një teatër të turpshëm dhe kërkoi apelimin e çështjes. (reporter.al)