Lobimi digjital, qasja e re “diplomatike” për njohjen e shtetësisë së Kosovës nëpër botë

Deri tash rreth 24 mijë e 896 përdorues të internetit kanë nënshkruar peticionin “Add Kosovo as a country in Netflix” si formë për të njohur sovranitetin e Kosovës në këtë platformë digjitale kinematografike.

Meqë Kosova në platformën më të madhe në botë të filmave dhe shfaqjeve televizive ‘Netflix’, konfiguron si pjesë e Serbisë, inicuesi i peticionit Sovran Hoti, po tenton të mbledh 200 mijë “nënshkrime” online.

Kur qytetarët e Kosovës lidhen në ‘Netflix’, vendndodhja e tyre duket sikur të ishin në Serbi, edhe pse ata përdorin platformën nga Republika e Kosovës. Përveç kësaj qasja nuk mund të verifikohet as me numrin e telefonit me prefiksin e Kosovës, për shkak se Kosova nuk shfaqet në listën telefonike.

Studenti i Universitetit të Prizrenit, Sovran Hoti ka thënë se është jashtë mase i kënaqur me mënyrën entuziaste që janë përgjigjur këtij peticioni qytetarët e Kosovës, të Shqipërisë dhe mërgimtarët.

“Kjo mbështetje masive tregon se sa shumë qytetarët, në veçanti të rinjtë e Kosovës, duan sovranitet për shtetin e tyre dhe e kuptojnë rëndësinë e sovranitetit digjital për Kosovën dhe njohjen digjitale të shtetit të tyre ndërkombëtarësht”, tha Hoti për KALLXO.com.

Sipas tij, me këtë entuziazëm të madh dhe me mbështetjen mediatike e të personaliteteve të njohura të Kosovës, nuk ka se si ‘Netflix’ mos ta vërejë e as se si ta injorojë këtë mbështetje.

Nënshkrimi i peticionit ka filluar para katër ditësh, dhe Hoti tha se synon të arrij 200 mijë nënshkrime.

“Ka pasur rritje masive që nga dy ditët e para dhe deri nesër kjo pritet të dyfishohet”, u shpreh Hoti.

Në peticionin e nisur nga Hoti shkruhet se ‘Netflix’ është një kompani amerikane, dhe meqenëse SH.B.A. e njeh Kosovën, a nuk duhet që ‘Netflix’ ta shtojë edhe Kosovën si vend në shërbimin e tyre streaming?

“Më ndihmoni të drejtohem te ‘Netflix’ dhe ta korrigjoj këtë gabim. Ne jemi vendi më pro-amerikan në botë dhe e duam ‘Netflix’. Dhe me këtë peticion, mendoj se ata do të na dëgjojnë me mirësi” shkruan në mbishkrimin e peticionit.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila përmes një publikimi në ‘Twitter’ i bën thirrje ‘Netflix’-it që të vendos Republikën e Kosovës në hartën e tyre.

“I dashur @netflix, njerëzit e Kosovës gëzojnë shumë shërbimet tuaja streaming dhe e duan punën tuaj. Ata meritojnë të njihen për këtë. Është koha kur ju duhet të vendosni Republikën e Kosovës në hartën tuaj”, shkruan Osmani.

Përveç Osmanit edhe ish-zëvendës kryeministri Haki Abazi dhe bashkëthemeluesi i Festivalit të Filmit në Prishtinë, Fatos Berisha e shumë figura tjera publike i janë bashkuar thirrjes për nënshkrimin e këtij peticioni.

Por, kjo nuk është hera e parë që në Kosovë organizohet një lobim i tillë për njohjen e kufijve të Kosovës. Në korrik të vitit të kaluar ishte inicuar një peticion i ngjashëm për vendosjen e Kosovës në hartën e ‘Apple’. Nismës “Put Kosovo on Apple Maps” i ishin bashkuar figurat e njohura publike si Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max. Pas mbledhjes së 197 mijë e 54 nënshkrimeve online, Kosova ishte vendosur në hartën e ‘Apple’.

“Është shumë shqetësuese që Kosova nuk shfaqet në ‘Apple Maps’. Vështirë se mund t’i shihni kufijtë e saj dhe gjëja më e keqe është se ajo tregohet si pjesë e Serbisë. Kjo duhet të ndryshojë ASAP (sa më shpejt që është e mundur) sepse Kosova është vend i pavarur që nga viti 2008”, kishte shkruar në peticion.

Përveç figurave eminente edhe ministrja e Jashtme e Kosovës i kishte dërguar një letër ‘Apple’, duke kërkuar që kufijtë e Kosovës të vendosen në hartë

Meliza Haradinaj – Stublla kishte publikuar letrën e saj drejtuar CEO të ‘Apple’ Tim Cook në Twitter, duke kërkuar që kompania të “ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të paraqitur në mënyrë korrekte kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Kosovës në shërbimin e saj në AppleMap”.

Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008. Shtetësia e saj është njohur nga më shumë se 110 vende të botës.

Për të nënshkruar peticionin online, klikoni në link.