Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Lladrovci ka një mesazh për kundërshtarët e tij politik: Dështakë të pandershëm, mos harroni: Forca e bën fuqinë!

“Katuni që shihet, kallauz nuk do!”, ka qenë fjalia me të cilën e ka nisur reagimin e tij kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci pasi komuna e tij u rendit e para me performancën më të mirë, sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Ai në Facebook ka shkruar se  e ka një mesazh për ata e përgëzuan dhe për disa që sipas tij u tronditën për vendin e parë për performancën më të mirë në Kosovë.

“E di se ju kam shkaktuar shqetësim kundërshtarëve politikë, i kam lënë pa gjumë keqbërësit dhe profiterët e të gjitha ngjyrave, janë shqetësuar disa bartës të pozave kinse intelektuale, besa janë shqetësuar edhe ata njerëz që nuk e dinë çka është performanca por i ka tronditur vendi i parë që kemi arritur”, ka shkruar ai.

Lladrovci i ka falënderuar mes tjerash kontribuesit e komunës dhe institucionet tjera.

“Fillimisht, faleminderit të gjithë kontribuuesve të komunës tonë dhe vlerësuesve të institucioneve vendore e ndërkombëtare që të arrijmë këtë sukses të jashtëzakonshëm, vendin e parë në Kosovë. Falënderoj miqtë, dashamirët, zyrtarët e komunës së Drenasit, për urimet e sinqerta dhe gëzimit të përbashkët me rastin e shpalljes së Drenasit komuna me performancën më të mirë në konkurrencën e 38 komunave”, thuhet në publikimin e tij në Facebook.

Lladrovci ka shtuar se i vjen mirë që PDK nga niveli qendror e ka vlerësuar vendin e parë dhe besimin ndaj punës së tij. “Kam besim se kjo punë e shton besimin ndaj vlerave të PDK-së në nivel nacional”.

“Dihet, më shumë janë ata që janë gëzuar dhe më kanë përgëzuar, se sa ata që janë trazuar me vendin e parë të komunës së Drenasit në nivel të Kosovës. Kohëve të fundit, pa ua bërë Zoti me borxh, dalin qesharak disa ‘mendimtar’, të cilët moti do të duhej të hiqnin dorë nga politika dhe diskutimi për politikë, sepse, ia kanë huq shumë herë, e po ia huqin edhe në vlerësimin dhe të arriturave në komunën tone”, ka shtuar ai.

Lladrovci ka theksuar se porosia e tij për të gjithë kundërshtarët e sukseseve të tij është që të mos bëhen qesharak.

“Para se të deklaroheni, pyetni mentorët e padronët tuaj, sepse, ata tashmë janë dorëzuar dhe nuk kanë asnjë shans kundër meje dhe kanë hequr dorë të më luftojnë, kështu që, merrni urdhra të rinj, duke iu kthyer punës tuaj e të mbarës. Dështakë të pandershëm, mos harroni: Forca e bën fuqinë!”, përfundoi ai.

Raporti i vlerësimit të performancës së Komunave e ka nxjerrë komunën e Drenasit si komunën me performancën më të mirë krahasuar me të gjitha komunat e vendit.

Drenasi ka arritur të përmbushë 77.04% të kritereve vlerësuese pasuar nga Hani i Elezit me 75.78% dhe Rahoveci me 75.20%.

Matja e performancës është një proces i udhëhequr nga Ministria e Pushtetit Lokal ku komunat raportojnë të dhëna mbi përmbushjen e standardeve qeverisëse.

Ramiz Lladrovci fiton garën me të gjithë kryetarët e komunave