Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në takimin e sotëm mes qeverisë dhe kryetarëve të komunave | Foto: Ramiz Lladrovci/Facebook

Lladrovci ia kërkon Kurtit mbështetjen e 12 projekteve për Drenasin

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka falënderuar kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Emilja Rexhepi për takimin e sotëm në Prevallë mes qeverisë dhe kryetarëve të komunave.

Lladrovci, që thotë se ky takim u realizua pas kërkesës së tij, ka treguar se gjatë takimit i ka prezantuar 12 projekte të rëndësishme për qytetarët e Drenasit.

Lladrovci thotë se i ka kërkuar kryeministrin mbështetjen për rehabilitimin e disa problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Drenasit, duke renditur kështu ndërtimin e kapaciteteve për furnizim me ujë të pijshëm, impiantin e ujërave të zeza, zgjidhjen e problemit me kompaninë rajonale të mbeturinave, ndërtim të rrugëve, etj.

“Organizimi i takimeve si ky, janë të rëndësishëm për trajtimin e çështjeve jetike të qytetarëve dhe përgjegjësisë tonë, andaj, u dakorduam të kemi takime të tilla të rregullta tre mujore”, ka shkruar Lladrovci në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, ndonëse rrugët, idetë e qasjen politike mund ta kenë të ndryshme, ata duhet t’i bashkojë interesi për t’i shërbyer qytetarëve.

Lexoni postimin e plotë të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci:

E falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Kurti dhe zv. kryeministren znj. Rexhepi që pas kërkesës time, organizuan takimin e sotëm të Kryeministrit me kryetarët e komunave.

Takimi u zhvillua në dy sesione dhe ishte shumë konstruktiv, ku ngrita disa çështje që janë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Komunës së Drenasit, si në vijim:

  1. Ndërtimi i kapaciteteve të ujit të pijshëm, me theks të veçantë ndërtimin e Liqenit të Vërbovcit,
  2. Vazhdimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Gllobar – Drenas – Komoran,
  3. Trajtimi i ujërave të zeza dhe ndërtimi i Impiantit,
  4. Zgjidhja e çështjes së tokave në zonën komasative,
  5. Gjetja e zgjidhjes për pagesë në mënyrë të rregullt të obligimeve që dalin nga kontratat kolektive me qëllim të ruajtjes së buxhetit dhe shmangies së shpenzimeve përmbarimore/gjyqësore,
  6. Problemi me kompaninë rajonale të mbeturinave,
  7. Problemet për përkujdesje dhe mirëmbajtje të objekteve sportive dhe kulturore,
  8. Rishikimin e ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale me qëllim të lehtësimit të procedurave të sjelljes së investitorëve,
  9. Problemin e qenve endacakë dhe zgjidhjen e problemit të trajtimit të tyre nga niveli qendror,
  10. Parku i Biznesit dhe kërkesa e zhvillimit të projektit për ndërtimin Stadiumit nacional,
  11. Çështjen e ndërtimit të Shkollës së pilotimit në ish aeroportin bujqësor në Korroticë.

Organizimi i takimeve si ky, janë të rëndësishëm për trajtimin e çështjeve jetike të qytetarëve dhe përgjegjësisë tonë, andaj, u dakorduam të kemi takime të tilla të rregullta tre mujore.

Rrugët, idetë dhe qasjet mund t’i kemi të ndryshme, por, do të duhej të na bashkonte interesi i qytetarit dhe efikasiteti i përbashkët në shërbim të tij!

Kurti mblodhi në Prevallë disa kryetarë e nënkryetarë të komunave