Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lladrovci i reagon Kurtit: Me këtë qasje, LVV do të mbetet e vogël

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka reaguar kryeministrit, Albin Kurtit, për një deklartë që Kurti e ka dhënë sa i përket nivelit lokal. Sipas Lladrovcit, Kurti ka deklaruar se “krimi ka zbritur në nivel lokal”.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se ky është një qëndrim zhgënjyes nga ana e Kurtit.

“Me keqardhje e lexova në portale se ju keni deklaruar sikur “krimi ka zbritur në nivel lokal”. Qëndrim tepër zhgënjyes për një kryeministër që nuk bën dallimin e liderit të një partie dhe kryeministrit të vendit për të gjithë qytetarët dhe pushtetin lokal”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Sipas tij, po të kishte shtet ligjor dhe të së drejtës, Kurti do të duhej sot të intervistohej nga Prokurori i Shtetit “për krimin në pushtetin lokal”, sepse në shtet ligjor, deklaratave të tilla do të duhej t’i bashkëngjitni fakte”.

Lladrovci këtë deklaratë të Kurtit e ka konsideruar si metodë të ikjes nga përgjegjësia.

“Gjetja e armiqve të rinj të Qeverisë që ju drejtoni, është shmangie nga zgjidhja e problemeve reale të pushtetit qendror. Kjo metodë e ikjes nga përgjegjësia është e njohur, por, nuk është rruga që zgjidh çështjet jetike të qytetarëve”, ka shkruar më tej kryetari i Drenasit.

“Me këtë qasje, z. Kryeministër, organizata që ju e drejtoni jo vetëm se do të mbetet e vogël në nivel lokal, por shumë shpejt do të bëhet e vogël edhe në nivel qendror”, ka thënë në fund Lladrovci.