Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit. Foto: Facebook.

Lladrovci: I identifikuari me COVID-19 nuk ka qenë në Drenas muajve të fundit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se i infektuari me COVID-19 është me adresë nga kjo komunë, por që muajve të fundit nuk ka qenë në shtëpinë e vet në Drenas.

I identifikuari shënon edhe rastin e parë me coronavirus në komunën e Drenasit.

“Qytetari i infektuar me virusin covid-19, edhe pse është me adresë nga komuna jonë, gjatë muajve të fundit nuk kishte fare kontakte me komunën tonë. Në kontakt me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Prof. Dr. Naser Ramadani, u informova se një pacient nga komuna e Drenasit, është i infektuar me virusin covid-19”, ka shkruar Lladrovci.

“Njoftoj qytetarët e komunës së Drenasit se pacienti ka lindur në komunën tonë dhe me adresë është nga komuna jonë, por muajve të fundit, nuk ka qenë në shtëpinë e vet në komunën e Drenasit”, shtoi ai.

Ai uroi që pacienti nga Drenasi, por edhe të gjithë të prekurit tjerë nga ky virus, të shërohen sa më shpejt dhe të mos ketë raste të reja të infektimit, ndërsa familjarëve të të infektuarit u ka kërkuar të ruajnë qetësinë dhe durimin në përballjen e suksesshme me këtë virus.

“Ne do të veprojmë sipas rekomandimeve të IKShP dhe institucioneve relevante, në bashkëpunim me Këshillin Emergjent Lokal dhe instancat tjera komunale, duke ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, parandalimin dhe luftimin e virusit covid-19”, është shprehur i pari i Drenasit.

Deri më tani numri i të prekurve me coronavirus në vend ka shkuar në 165.