LIVE - Protestë në Prishtinë, kërkohet drejtësi për rastin e 11-vjeçares

Me qindra njerëz janë mbledhur përsëri sot para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Me pankarta në duar, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshirë në ketë rast.

Organizatorët e kësaj proteste po kërkojnë edhe: Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray);

Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës;

Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici;

Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe  Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.

 

Fjolla Muçaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se do të qëndrojnë të bashkuara e të revoltuara deri sa të gjitha kërkesat të zbatohen.

“Ne e dimë fare mirë që kjo dhunë ndaj nesh është ushtruar me ndërmjetësimin e shtetit. Megjithatë, ne përfundimisht themi se nuk do ta durojmë dhe më tej këtë dhunë. Ky shtet dhe kjo qeveri duhet bënë llogari dhe përfundimisht të na tregojnë ku është duke u pozicionuar. Në mënyrë të menjëhershme, kjo mund të bëhet duke filluar zbatimin e të gjitha kërkesave tona si pikënisje e ndërrimit të kahjes së shtetit ndaj trajtimit të sigurisë së grave dhe vajzave”-ka thënë ajo.

Viktima dyshohet se është dhunuar për shtatë orë, më 27 gusht 2022, nga ora 17:30 deri më 00:30.

Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona të dyshuar.

Dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares nga pesë persona, tre nga ta të mitur, gjatë një intervali kohor prej 7 orë, ka mbledhur me qindra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti” të merkurën e javës së kaluar.

Përveç Prishtinës, edhe në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Tiranë e Shkup, të mërkurën është kërkuar drejtësi për vajzën 11-vjeçare.

Dje KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.