Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Liston një numër shkeljesh nga UP, jep dorëheqje anëtarja e Këshillit Drejtues

Anëtarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu Selimi ka ofruar dorëheqjen e saj nga kjo pozitë, duke listuar edhe një sërë shkeljesh që sipas saj janë bërë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në letrën e saj drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Dema më 20 shkurt, ajo ia ka numëruar atij  kritikat drejt këtij institucioni.

“Përkundër disa arritjeve,  ky përvjetor jubilar nuk e gjeti Universitetin më të madh publik të Republikës së Kosovës në gjendjen për të cilën shumë gjenerata shpresuam dhe kontribuan. UP ballafaqohet me shumë sfida”, ka thënë ajo.

“Për më tepër, UP mbetet larg në përmirësimin e cilësisë karshi universiteteve konkurrente rajon, dhe jo vetëm. Gjatë shërbimit tim tanimë dy vjeçar në cilësinë e anëtares së KD-së si dhe të kryesueses kam qenë konsistente në qëndrimet, kërkesat dhe vendimet e mia karshi shumë parregullsive të evidentuara kryesisht në aspektin e menaxhimit të përgjithshëm të UP-së”, ka shtuar Kryeziu-Selimi.

Ajo ka thënë se problem themelor me të cilën ballafaqohet UP është mungesa e llogaridhënies, transparencës si dhe veprimet konkrete për të adresuar gjetjet, parregullsitë si dhe zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues.

Kryeziu-Selimi i ka thënë Demajt se sekretari i Përgjithshëm I UP-së, Esat Kelmendi nuk i përmbush detyrat dhe përgjegjësit e tij sipas ligjit dhe statuteve.

Kjo është letra e plotë e saj:

 

Në lidhje me këtë cështje ka reaguar edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ku ka thënë se denoncimet e Kryeziu-Selimit duhet të merren seriozisht nga MAShTI dhe institucionet hetimore në vend.

“Pasi ato vijnë nga dikush që ka pasur qasje në informacion dhe që ka përcjellë për një kohë relativisht të gjatë nga një pozitë drejtuese zhvillimet në UP. Disa nga denoncimet e saj që lidhen me pagat e zyrtarëve të lartë të UP-së deri tash i ka ngritur edhe ORCA nëpër hulumtimet e veta”, ka thënë ORCA.

“Me këtë rast ORCA pret nga Ministria e Financave, MAShT dhe Qeveria në përgjithësi, që të ndërhyjnë për të vënë rregull, rend e ligj në Universitetin e Prishtinës pasi autonomia që gëzon universiteti lidhet vetëm me zbatimin e ligjeve dhe çështjet akademike siç janë përcaktuar me ligj. Autonomi për të bërë keqpërdorime nuk gëzon dhe nuk duhet të gëzojë askush në Kosovë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

KALLXO.com kishte raportuar se anëtarja e KD të UP-së Laura Kryeziu-Selimi, mbante shumë pozita dhe për këtë  Agjencia Kundër Korrupsioni e kishte detyruar të heqë dorë nga disa.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

www.kallxo.com