Përfaqësues të Listës Serbe – Foto: REL

Lista Serbe thotë që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Lista Serbe ka njoftuar që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në 4 komunat veriore të Kosovës, më 18 dhjetor të këtij viti.

Kjo parti politike ka theksuar që në zgjedhje nuk do të marrin pjesë as qytetarët që mbështesin këtë parti, që sipas tyre janë mbi 95 për qind të qytetarëve.

“Duke marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, dëshirojmë të informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që mbështesin partinë tonë, prej të cilave mbi 95% janë në këto zona”- thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore.

Zgjedhjet do të mbahen në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi” – thuhet në vendimin e presidentes Osmani për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Pas takimit të mbajtur me përfaqësues të partive politike , presidentja ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Këto zgjedhje vijnë si pasojë e dorëheqjeve të kryetarëve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovicë Veri. Ai u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.