Foto: Albin Kurti, Facebook

Lista Serbe s`merr pjesë në zgjedhjet për komunat veriore, Kurti kërkon nga BE të dënoj shkeljen e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me mos pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale për 4 komunat veriore.

Përmes rrjetit Twitter, Kurti u shpreh se kjo është shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit dhe se BE duhet të dënojë këtë shkelje të marrëveshjes.

“Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të Kosovës këtë prill. Kjo është shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës. BE-ja duhet të dënojë këtë shkelje  të Marrëveshjes Bazike”- ka shkruar Kurti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka thënë të mërkurën se asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe e cila e ka mbështetjen e Beogradit ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri