Përfaqësues të Listës Serbe – Foto: REL

Lista Serbe përshendet marrëveshjen Kosovë- Serbi për dokumentet identifikuese

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka përshendetur marrëveshjen për dokumente identifikuese mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se se marrëveshja e arritur ruan paqen, stabilitetin dhe kartat e identitetit serb. Rakiq ka shtuar se për serbët që jetojnë në Kosovë, kjo marrëveshje është e një rëndësie të paçmueshme, raporton Pink.

“Kjo është vetëm një tentativë për të shuar zjarrin, por zjarri është ende prezent dhe vjen kryesisht nga Prishtina. Për serbët që jetojnë në Kosovë, kjo marrëveshje është e një rëndësie të paçmueshme, sepse populli e di se sa netë pa gjumë janë, sa halle dhe shqetësime janë pas nesh” – ka thënë Rakiq.

Rakiq tutje ka thënë se nuk dihet se çfarë hapash të ardhshëm do të ndërmarrë Prishtina teksa ka thënë se lëvizjet e njëanshme dhe rritja e tensioneve në veri shqetësojnë popullin serb.

“Kjo marrëveshje do të mbrojë të drejtat tona. Tani askush nuk ka të drejtë të prekë letërnjoftimet serbe, gjë që konfirmon edhe një herë prezencën e institucioneve tona në këto zona”- thotë Rakiq.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Borrell: Arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për dokumentet