Përfaqësues të Listës Serbe – Foto: REL

Lista Serbe përmend raportin për Astrit Deharin për ta sulmuar prokurorin Sylë Hoxha

Lista Serbe e ka shfrytëzuar publikimin e konkluzioneve të ekspertizës së Institutit zviceran për vdekjen e Astrit Deharit për ta sulmuar ish-kryeprokurorin e Prizrenit, tash prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, të cilin e akuzon për “përndjekje të serbëve të Kosovës”.

Sipas partisë së serbëve të Kosovës raporti i ekspertizës për Astrit Deharin vë në dyshim punën e prokurorit special Sylë Hoxha.

“Me këtë raport, Instituti zviceran dëshmon se prokurori special Sylë Hoxha nuk është person që zbaton ligjin, por gjithashtu pohon dyshimin e arsyeshëm të të gjithë serbëve në Kosovë se ky njeri nuk po vepronte në përputhje me ligjin, por në përputhje me disa parime të tjera”, thuhet në një kumtesë të Listës Serbe, sipas të cilës po forcohen dyshimet që kanë ngritur në mënyrë të përsëritur se Sylë Hoxha është duke punuar për “të përndjekur serbët e shquar në Kosovë, pa asnjë provë, me shumë gjasa të porositur për qëllime politike sesa zgjidhjen e çështjeve specifike”.

Lista Serbe ka thënë se Hoxha meqenëse në rastin e Astrit Deharit ka bërë shkelje të rregullave dhe procedurave, të njëjtën gjë po e bën edhe me arrestimet e serbëve në veri të Kosovës.

Kjo parti me gjasë aludon në operacionet e Policisë së Kosovës të urdhëruara nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër zyrtarëve të ndryshëm të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.

Një aksion i tillë është ndërmarrë sot në mëngjes në veri të vendit, cak i të cilit kanë qenë edhe oficerë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në kontrabandë dhe në vepra të tjera penale.

https://kallxo.com/ligji/aksion-i-papare-i-ipk-se-ne-veri-te-vendit-foto/

“Duke pasur parasysh që, si rregull, ai mban të gjitha rastet e arrestimeve dhe persekutimeve të serbëve, ne dyshojmë se këto raste dhe mënyra se si i udhëheq Syla janë një mënyrë për të mbuluar gabimet nga çështja në fjalë, në kurriz të serbëve, ose këto raste shërbejnë për të marrë promovime të jashtëzakonshme, pasi zoti Hoxha mori postin e prokurorit special në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një aksion në veri nga zyrtarët e Inspektoratit të Policisë së Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Speciale, ku janë arrestuar tre zyrtarë policorë dhe janë intervistuar nga prokurori special, Sylë Hoxha.

Hoxha për KALLXO.com kishte thënë se ky aksion është vazhdim i aksioneve të kaluara për veprat penale, krim i organizuar, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të mitos.

https://kallxo.com/ligji/aksioni-ne-veri-flet-prokuroria-speciale/

Kurse, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se me tri arrestimet e sotme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25.