Lista Serbe pa rivalë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Vetëm tetë kandidatë do të garojnë kundër Listës Serbe të përkrahur nga Beogradi në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, me përfaqësues nga partitë opozitare të serbëve nga Kosova me deklarime se “nuk ka shpresë” për votë të lirë dhe të drejtë.

Tri javë para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, partitë opozitare që garojnë kundër Listës Serbe, e përkrahur nga Beogradi, për 10 ulëse për të përfaqësuar serbët e Kosovës në Kuvend nuk janë aq optimiste. 

Nenad  Rashiq, i cili ishte udhëheqës i koalicionit Sloboda në zgjedhjet e tetorit 2019, tha për BIRN se nuk ka gjasa për zgjedhje fer dhe të lira, duke i krahasuar votat për ulëset e serbëve të Kosovës me zgjedhjet në Korenë e Veriut.

“Institucionet e Kosovës nuk janë të afta që të ofrojnë kushte për zgjedhje normale. Kaq.” thotë ai, duke shtuar se ai ka bërë një numër ankesash lidhur me frikësimin dhe kërcënimet tek Policia e Kosovës dhe prokuroria por me shumë pak rezultate.

Në raportin e tij mbi zgjedhjet e tetorit 2019, misioni vëzhgues i BE-së ka deklaruar se partitë opozitare në zonat me shumicë serbe ishin “të paafta për të organizuar fushata efektive pjesërisht për shkak të frikësimit të kandidatëve, familjeve të tyre dhe votuesve në përgjithësi. “

Rasiq thotë se çfarëdo fushate sivjet do të zhvillohet në mënyrë shumë diskrete, dhe se shumica e fushatës do të bëhet përmes mesazheve telefonike për shkak se edhe fushata derë-më-derë vlerësohet shumë e rrezikshme. 

Lista Serbe ka fituar të gjitha 10 ulëset në vitin 2019, dhe ka gjasa se rezultati do të jetë i njëjtë edhe në muajin shkurt, duke u ballafaquar edhe më pak me kundërshtime kësaj here. Në vitin 2019, koalicioni Sloboda dhe dy parti tjera kishin garuar kundër Listës Serbe, ndërkohë që në vitin 2021 vetëm dy iniciativa qytetare janë në garë, duke zgjedhur gjithsej vetëm tetë kandidatë. 

Një kandidate për deputete, Rada Trajkoviq e cila është pjesë e ‘Gradanska Iniciativa Za Slobodu, pravdu i opstanak” (Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë), i tha BIRN se ajo pret një dominim të Listës Serbe për shkak se votuesit ka të ngjarë tu “nënshtrohen presioneve” përfshirë “frikësimin dhe blerjen e votës.”

Trajkoviq e cila dy herë më parë ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës, beson se serbët e Kosovës janë të paaftë të votojnë lirshëm për shkak të varësisë financiare nga institucionet që udhëhiqen nga Lista Serbe.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se shumica e serbëve në Kosovë akoma varen financiarisht nga Beogradi, dhe Lista Serbe kontrollon institucionet në të cilat i kanë punësuar këta njerëz,” thotë ajo. “Absolutisht nuk ka hapësirë për liri politike, për shkak se serbët e Kosovës janë të shantazhuar dhe se mbijetesa e tyre varet nga vota e tyre për Listën Serbe.”

Trajkoviq shton se kontrolli i Listës Serbe ndaj punësimit publik tani është zgjeruar, duke i përfshirë institucionet kosovare dhe institucionet paralele serbe. Lista Serbe po ashtu ka nën kontrollin e saj institucionet lokale të cilat janë pjesë e sistemit të Kosovës, kështu që tani ne kemi një situatë në të cilën serbët e Kosovës nuk mund të ikin nga ndikmi i Listës Serbe që ndërlidhet me mbijetesë e tyre, edhe nëse arrijnë të punësohen në institucionet e Kosovës.”

Në zgjedhjet e vitit 2019, Srpska Liberalna Stranka, SLS (Partia Liberale Serbe), kishte marrë më shumë vota sesa cilado parti tjetër opozitare e serbëve të Kosovës. Megjithatë, SLS nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e sivjetme. BIRN ka kontaktuar Slobodan Petroviqin, liderin e SLS-së si dhe ish zv/kryeministrin, për ta pyetur në lidhje me këtë mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigjie. 

Që të dy, Trajkoviq dhe Rashiq besojnë se një tjetër fitore e Listës Serbe në muajin shkurt është e pashmangshëm. “Për aq kohë sa regjimi represiv i Vuçiqit është në pushtet, perspektiva demokratike e serbëve të Kosovës do të mbetet e zymtë,” thotë Trajkoviq. “Vetëm një ndryshim i qeverisë në Beograd do ta rikthente demokracinë në komunitetin tonë në  Kosovë.

BIRN kontaktoi udhëheqësin e Listës Serbe, Goran Rakiq, për të diskutuar lidhur me pretendimet e opozitës për frikësim, mirëpo  nuk mori asnjë përgjigje.

Ky artikull u publikua fillimisht në PrishtinaInsight