Lista Serbe: Pa ne nuk bëhet Qeveria e Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot në kuadër të diskutimeve për formimin e koalicionit qeverisës me partitë parlamentare të pakicave, përfshirë edhe me Listën Serbe.

Drejtues të Listës Serbe thanë pas takimit me Kurtin se takimi i sotëm është dashur të mbahet shumë më herët. Megjithatë, ata theksuan se edhe sot ia përcollën qëndrimin e tyre të mandatuarit për kryeministër të Kosovës.

“Ne presim që partitë me shumicë shqiptare të mbledhin votat për formimin e qeverisë, mirëpo tashmë është e qartë edhe për partnerët ndërkombëtarë që pa Listën Serbe si faktor politik është e pamundur formimi i Qeverisë. Pra qeveria e ardhshme nuk mund të tejkalojë faktin që të mos ketë përfaqësues të Listës Serbe”, tha pas takimit Goran Rakiq.

“Është me rëndësi për publikun, po shihet që nuk ka marrëveshje ndërmjet tyre për formimin e qeverisë së ardhshme. Atë që e kemi sqaruar sot në takim ka qenë që nëse Qeveria e ardhshme ka më shumë se 12 ministri, në këtë rast përpos ministrisë së garantuar, atëherë nëse rritet numri i ministrive ajo ministri shtesë  i takon grupit më të madh parlamentar të minoriteteve, e në rastin konkret Lista Serbe do të ketë 11 përfaqësues pra është shumë e qartë që Lista Serbe do të jetë ajo që do të ketë ministrinë e dytë nëse rritet numri i ministrive më shumë se 12”, tha Dalibor Jevtiq.

E nëse Qeveria do të ketë 12 ministri, atëherë, sipas tij, ajo do t’i takojë Listës Serbe.