Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lista Serbe nuk voton Qeverinë Kurti 2, kërkon dy ministri
Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, ka thënë se kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka shkelur Kushtetutën e vendit me emërimin e vetëm një ministri nga Lista Serbe.
Kurti propozoi që Goran Rakiq të jetë ministër për Kthim dhe Komunitete, mirëpo sipas Simiq edhe një ministër duhet t`i takoj Listës Serbe.
“I nderuari mandatar, rasti i parë për veprim dhe menjëherë e shkelët Kushtetutën. E dini mirë se Lista Serbe me 11 nënshkrime deputetësh ka të drejtë për 2 ministra nga komunitetet jo-shumicë dhe kjo jo si dhuratë e juaja apo e dikujt tjetër, por si diçka që na kanë dhënë qytetarët duke votuar në mënyrë legjitime dhe ligjore për Listën Serbe në zgjedhje. Këtë ua kemi thënë në takimet që i kemi pasur”, tha Simiq.
Simiq paralajmëroi se Lista Serbe do t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“E keni filluar keq qeverinë që planifikoni ta drejtoni por në të njëjtën kohë është porosi e keqe për gjithë qytetarët për shkak të këtyre veprimeve, mes të tjerave. Lista Serbe nuk do ta mbështesë qeverinë dhe për më tepër do të dërgojmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese që ta mbrojmë të drejtën e popullit tonë”, tha ai.
Sot pritet që të votohet qeveria Kurti 2. AAK, PDK e LDK janë deklaruar se nuk do të votojnë pro kësaj qeverie.
Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.
Sot është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.