Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista Serbe lëshon sallën, Simiq: Po i shkelni të drejtat e popullit serb për të votuar në referendum

Shefi i deputetëve të Listës Serbe, Igor Simiq ka thënë se seanca e Kuvendit të Kosovës për kundërshtimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë është një farsë.

Ai shtoi se të drejtat e popullit serb do të shkelen me votimin e rezolutës së sotme të Kuvendit, duke u ndaluar që të mbahet referendumi serb të dielën.

“Tema për të cilën sot jemi këtu e ka epilogun e vet sepse vendimi veçse është sjellur, kjo është një farsë dhe Parlamenti duhet të simbolizojë demokracinë. Kjo është paradoks sepse sot do të sjellët një akt ku do të shkelen të drejtat e popullit të Serbisë pasi do të ndaloni që të dielën ata të votojnë dhe kjo është një seri e shumë veprimeve anti-serbe”, tha ai.

Simiq ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në referendum dhe njoftoi se nuk do të jenë pjesë e seancës.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.