Lista Serbe dhe stafi gjyqësor pezullojnë punën në Kosovë

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime, ndërsa njoftimin për pezullimin e punës në insititucionet e Kosovës Rakiq e tha për mediat, pas protestës.

Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.

Serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.

Protestuesit mbanin parulla “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.

Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës ka protestuar në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kishin arritur në mënyrë të organizuar në Graçanicë./REL