Lista Serbe dënon "sulmin e paprovokuar" ndaj deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës, pas ardhjes së deputetëve të Listës Serbe në sallë.
Konjufca, në seancë, ka thënë se ardhja e tyre në Kuvend një herë në gjashtë muaj është “sjellje e patolerueshme”.
Ai ka kërkuar, nga të njëjtit, ta lirojnë Kuvendin e Kosovës, ndërsa u ka thënë “Shkoni edhe rrini gatitu Shefit kriminel [Millan] Radoiçiq”.
Pas kësaj situate, ka reaguar Lista Serbe, e cila e ka dënuar ashpër këtë “sulm të paprovokuar” ndaj deputetëve të saj.
“Ky sulm i paprecedentë deri më tani, është disfata e demokracisë dhe shtetit ligjor, por edhe shembulli më i mirë i pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit, i cili po pëson dhunë institucionale dhe terror fizik.” – tha Lista Serbe.
Tutje, Lista Serbe tha se janë krenarë “që Kurti po na sulmon, sepse kjo konfirmon se ne po i bëhemi pengesë në rrugën e tij për të dëbuar gjithçka serbe”.
Lista Serbe ka kërkuar reagimin e Ambasadave, në radhë të parë të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, por edhe të Bashkimit Evropian, OSBE-së, UNMIK-ut – për ta dënuar atë që ka ndodhur në seancën e 05.12.2024, në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me largimin e deputetëve të Listës Serbe, nga seanca e Kuvendit më 05.12.2024.
Sipas KDI-së, deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe janë penguar jashtëligjshëm nga kryetari i Kuvendit dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.