
Foto: Ernesa Aliu/KALLXO.com
Lista Serbe certifikohet për Zgjedhjet e 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet qendrore, që do të mbahen me 9 shkurt 2025 në Kosovë.
Ky vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.
“KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur.” – deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Më 25.12.2024, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ankua në Gjykatën Supreme ndaj Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – lidhur me rastin e Listës Serbe.
Pasi u konfirmua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për certifikimin e Listes Serbe, kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.
“Ka shumë dëshmi, shumë elemente që unë mendoj që ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet.” – tha ai.
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, të paraqitur kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Lajmin e ka konfimuar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka për KALLXO.com.
Ankesa ishte dërguar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, më 25.12.2024, ku ishte kontestuar ligjshmëria e këtij Vendimi të PZAP-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 23.12.2024, nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.
Pas votimeve, me 2 vota “për”, 2 “kundër” dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e kishte konstatuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Nuk kalon Rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – kishte thënë ai në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.
Vendimi paraprak ishte marrë, pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.
Lista Serbe pas kësaj më 25.12.2024 kishte parashtruar Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi që nuk u certifikua për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Ndërsa, PZAP kishte vendosur në favor të kësaj partie.
Supremja hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të PZAP-së në lidhje me Listën Serbe