Lista 'Guxo', zyrtarisht parti politike

Lista ‘Guxo’ tashmë zyrtarisht është regjistruar si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në një konferencë për media, anëtarja e kësaj partie dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka prezantuar planin e kësaj partie.

“Iniciativa qytetare ‘Guxo’ para një viti hyri si iniciativë qytetare, ‘Guxo’ është parti e qendrës së djathtë. Vendit tonë i duhet cilësi ne arsim, edhe ne si shtet kemi nevoje për investime të huaja. Sistemi shëndetësor duhet të modernizohet. Puna dhe rroga duhet t’i takojë atij që i meriton”, tha ajo.

Gërvalla shtoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë në një grup parlamentar më Lëvizjen Vetëvendosje, me partinë që kanë garuar së bashku si listë në zgjedhjet e fundit.

“Ajo çka ka ndodhur më 14 shkurt ka ndodhur vetëm për shkak të bashkimit të Listës ‘Guxo’ dhe LVV. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë si grup parlamentar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje… Deri në momentin kur mbahet Kuvendi Zgjedhor, unë do nënshkruaj në emër të partisë në konsultim bashke me partinë. Bashkëpunimi me LVV do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha më tej Gërvalla.

Ndërsa, anëtari i kësaj partie dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se do të futen në një proces të brendshëm të partisë dhe Kuvendin zgjedhor do ta mbajnë më së largu pas 6 muajsh.

“Nga kjo zyre i bëjmë thirrje të gjithëve të bashkohen në procesin e brendshëm të partisë. Kuvendi zgjedhor do te ndodh jo me larg se gjashte muaj”, tha më tej Peci.

Lista ‘Guxo’ është formuar nga presidentja, Vjosa Osmani. Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje janë renditur të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit, me 438 mijë e 335 vota apo 50,28 për qind.