Lista "Guxo" në Viti i kthehet LDK-së

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e ka konfirmuar për KALLXO.com, se Lista “Guxo” në këtë komunë iu është rikthyer Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Udhëheqësit e Listës ‘Guxo’ në Viti janë rikthyer në shtëpinë e vet të vjetër. Tre udhëheqësit Adnan Imeri, Fadil Ismaili dhe zëvendësi i tij, e kanë konfirmuar në emër të të gjithëve – është ribashkim”, tha Haliti.

Udhëheqës i Listës “Guxo” Adnan Imeri në Viti, tha për KALLXO.com se anëtarët e Listës në tërësi në unanimisht kanë marr vendim që t’i bashkohen Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Arsyeja se pse janë rikthyer sipas tij, është se kanë pritur që Lista “Guxo” do të jetë pjesëmarrëse në garë për zgjedhjet lokale 2021.

“Parimisht në momentin që e kemi krijuar si ide Listën ‘Guxo’, ne kemi shpresuar se në të ardhmen si parti e krahut të djathë, do ta kemi si subjekt të regjistruar dhe do të jemi pjesëmarrës në garë. Meqë  ajo nuk ndodhi, të gjithë të pandarë, në mënyrë unanime, vendosëm që tani e tutje t’i kthehemi LDK-së dhe aty ta japim kontributin politik”, tha ai.

Imeri shtoi se 24 anëtarë themelues i ka pasur grupi i tyre dhe se të gjithë i janë bashkuar LDK-së.

I pyetur se a do të marrin pjesë në garë për asamble, ai tha se nuk do të jetë pjesë e garës për asamble komunale por se kontributi i tij do të jetë i madh në këtë proces zgjedhor në përkrahje të Sokol Halitit.

KALLXO.com ka provuar të marr përgjigje edhe nga Donika Gërvalla, Faton Peci dhe Haxhi Avdyli, por deri në publikimin e shkrimit nuk ka pasur përgjigje.

Në faqen e rrjetit social të LDK-së Dega në Viti, është bërë i ditur ky njoftim.

Në këtë faqe është shkruar se “Lista Guxo në Viti në zgjedhjet komunale të 17 tetorit do të përkrah fuqishëm kandidatin e LDK-së në Viti Sokol Haliti! Kjo u bë e ditur pas takimit të sotëm në mes të kryetarit Haliti me përfaqësuesit e Listës ‘Guxo’ në Viti”.