Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista Guxo dhe dy subjekte tjera aplikojnë në KQZ

Lista Guxo, Lëvizja Qytetare Vatra dhe Kastriot Bushi, janë subjektet që deri më tani kanë paraqitur aplikimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet e 17 tetorit.

Lajmi është konfirmuar për kallxo.com nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se deri më 9 korrik ky institucion ka pranuar 3 aplikime për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

“Deri më sot, 9 korrik 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 3 aplikime për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit: Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; Kandidati i pavarur, Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në komunën e Kaçanikut; dhe Iniciativa Qytetare Lisa Guxo, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Ferizaj”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, afati i subjekteve politike për të aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale përfundon më 16 gusht. Deri në këtë datë, subjektet politike, përveç aplikimit të tyre, duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve për Kryetarë të Komunave apo për Kuvende Komunale.