Logo e NP KRU" Prishtina"

Lista e të shkarkuarve në Ujësjellësin "Prishtina"

Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, ditën e sotme ka marrë disa vendime për shkarkime nga menaxhmenti i kompanisë.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, bordi i përkohshëm ka shkarkuar zyrtarin Kryesor Financiar dhe të Thesarit, Sokol Durakun, zëvendës Kryeshefin Ekzekutiv, Kujtim Xhelilin dhe ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Kapllan Parduzi.

Ndërsa po ashtu është marrë vendim që të shpallet konkursi për rekrutimin e pozitës së Kryeshefit Ekzekutiv, zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv dhe zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit.

Kurse, ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv është caktuar Sokol Xhafa, ushtrues detyre i zyrtarit Financiar dhe të Thesarit është caktuar Mentor Balaj.

Bordi i ri i ‘KRU Prishtina’ është zgjedhur me 2 prill, pas shkarkimit të atij të vjetrit.

Favorizimi i bashkëpartiakëve për bordin e KRU Prishtinës (DOKUMENT)

KALLXO.com kishte raportuar se Mentor Hyseni i zgjedhur në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit, është anëtar i Vetëvendosjes dhe ish-kandidat për deputet në këtë parti.

Po ashtu, është gjetur se anëtari tjetër i këtij bordi, është ish-kandidat për deputet i partisë së ministres Emilija Rexhepit.

Ndërsa, Rozeta Hajdari, e ka konfirmuar se anëtari Artan Dërmaku i emëruar në bordin e përkohshëm të Infrakos është pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.