Lista e re e barnave esenciale brenda ditës miratohet dhe shfuqizohet - DOKUMENT

Lista e re esenciale e barnave dhe materialit shpenzues u miratua e më pas u shfuqizua gjatë ditës së djeshme. Arsyetimi i shfuqizimit janë ‘lëshimet teknike’.

Prandaj, lista paraprake me vendim të vitit 2019 mbetet në fuqi.

Sipas sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, kjo ka ndodhur për shkak të keqkomunikimit brenda administratës.

Dokumenti, siç thotë Bardiqi i është dhënë ministrit që të nënshkruhet, përderisa për draftlistën e barnave esenciale do të mbahet edhe një tryezë me qëllim të debatit publik.

Sekretari i MSH-së tha për KALLXO.com se draftvendimi i përgatitur nga Administrata është proceduar me një draft për Listën e barnave esenciale të komitetit, prandaj konsiderojnë se procesimi ka qenë gabim teknik.

“Komiteti do ofrojë draftin e finalizuar, i cili do t’u dërgohet paraprakisht të ftuarve në mënyrë që tu mundësohet debati por edhe reflektimet nga ana e komitetit për rekomandimet e bazuara në evidencë të cilat do konkludohen nga tryeza, dhe në përputhje me kriteret themelore për përpilimin e listës së barnave esenciale-mbështetur në rekomandimet e OBSh-së” – shtoi ai.

Vendimi për miratimin e listës së re esenciale të barnave dhe materialit shpenzues
Vendimi për shfuqizimin e listës së re esenciale të barnave dhe materialit shpenzues

Driton Vela, kryetar i komitetit kyç për rishikimin e kësaj liste tha se ai është përgjegjës për organizimin e tryezës e cila tha se pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

“Nuk e shoh problematike këtë sepse është çështje kohe nënshkrimi i listës” – tregoi ai për KALLXO.com.

Lista esenciale e barnave dhe materialit shpenzues mbulohet nga buxheti i vendit. Vela, në fillim të muajit shkurt, në emisionin Kallxo Përnime kishte treguar se lista e re ka 65 propozime të reja dhe buxheti për të është dyfishuar.

“Është afër 60 milionë që është i ndarë në disa pjesë, që janë pjesa për SHSKUK-në, për kujdesin primar, sëmundjet e rralla edhe një grup tjetër i sëmundjeve që i konsideron prioritet vendi. Total është gati 60 prej 35 milionëve” – ka thënë ai.