Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista e kandidatëve për anëtarë të bordit të BQK-së, përplas opozitën me LVV-në

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar listën me pesë emra të propozuar nga paneli i Bankë1s Qendrore të Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së.

Një listë e tillë u kundërshtua nga opozita në këtë komision. Avdullah Hoti nga LDK kërkoi që të mos miratohet kjo listë, sepse paneli intervistues nuk kishte sjellë arsyetime për kandidatët se pse ata janë përzgjedhur.

Hoti tha se njëra nga kandidatet nuk i plotëson kushtet edhe pse është përzgjedhur ndaj arsyetimi nga paneli është i domosdoshëm.

“Paneli nuk ka dhënë arsyetim pse kandidatët i plotësojnë kushtet. Kandidatja e parë nuk i plotëson as kushtet administrative, në bazë të CV-së. Nuk e ka përvojën 10 vjeçare dhe për më tepër është kryesuese e komitetit te auditimit në ZKM, ndonëse anëtare e jashtme. Paneli intervistues nuk e ka kry punën e vet. Unë nuk jam me e anulu, por të kërkojmë sqarime”, Avdullah Hoti.

Ndërsa Ferat Shala nga PDK theksoi se në komision kanë pasur edhe një ankesë në lidhje me panelin intervistues.

“E kemi një ankesë që ka ardhur te ne, dhe unë mendoj që duhet të shtyhet ky proces, pa ardhur edhe një vlerësim që është ankua, konsideroj që nuk duhet të përcillet kjo listë në Kuvend. Ne kemi praktika që bashkërisht me ju ia kemi kthy një listë komplet qeverisë, ku i ka tërëheq emrat. Këtu është në fjalë ligjshmëria dhe arsyeshmërisë”, Ferat Shala.

Deputeti i LVV-së, Enver Haliti e kundërshtoi që Komisioni të trajtoi ndonjë ankesë nga ky proces duke thënë se nuk janë te thirrur për këtë.

“Nuk jemi si komision të thirrur t’i vlerësojmë ankesat, nëse ka vërejtje ato duhet t’i adresojnë në panel”, tha Enver Haliti.

Ndërkaq, kryetari i komisionit, Armend Muja tha se pika shtyhet për javën tjetër pas marrjes së informatave shtesë të kërkuara nga deputetët.

Bordi i BQK-së më 27 janar ka emëruar panelin për plotësimin e një pozite:

Flamur Mrasori

Fehmi Mehmeti

Nora latifi

Bashkim Nurboja

Paneli ka njoftuar se pas vlerësimit ka përzgjedh:

Arta Hoxha

Esida Bujupi

Lulzim Ismajli

Nexhat Kryeziu

Nora Rraci