Lisi që po i bën probleme Komunës së Prizrenit

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nëpërmjet Sektorit të Mjedisit është duke e shqyrtuar kërkesën për prerjen e një lisi në lagjen Tabakhane, përkatësisht në Mullirin e Tabakhanes.

Ky objekt është në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe gjendet brenda  kufijve të Qendrës Historike  të Prizrenit.

Sipas komunikatës së Komunës së Prizrenit, kërkesës për prerjen e lisit të pranuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike më 15.10.2019, me arsyetimin se po shkakton dëme në jaz dhe në Mullirin e Tabakhanes, i është rekomanduar të merret pëlqimi edhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

QRTK pas vlerësimit të gjendjes në terren, ka vërtetuar se rrënjët e lisit paraqesin rrezik për dëmtimin e strukturës së murit dhe të jazit, dhe si rrjedhojë ka rekomanduar Drejtorinë e Shërbimeve Publike që ta evitojë rrezikun e paraqitur duke bërë largimin e lisit nën mbikëqyrjen e ekipit të QRTK-së.

Prerja e lisit do të bëhet gjatë ditëve në vijim dhe me kujdes të shtuar, në mënyrë që të mos dëmtohet struktura e mureve të mullirit.