Lirohet vrasësi rus: Gjermania stepet para kalkulimit moral
Të afërmit e burrit të vrarë prej një vrasësi të porositur rus në një park të Berlinit kanë shprehur zëshëm zhgënjimin e tyre pas lirimit të dorasit nga burgu, duke reflektuar sëkëlldi në Gjermani kundrejt ekuacionit moral që siguroi lirimin e 16 të burgosurve politikë nga burgjet bjelloruse dhe ruse, shkruan Reuters.
Shtetasi gjeorgjian, Zelimkhan Khangoshvili, një çeçen etnik që kishte rrokur armët kundër shtetit rus në fillimvitet nëntëdhjetë, por që do të hiqte dorë prej luftës së armatosur për pavarësinë çeçene, u qëllua për vdekje më 2019.
Vrasësi i tij, Vadim Krasikov, ishte njëri prej shtatë agjentëve të liruar nga burgjet perëndimore të enjten për të siguruar lirimin e të burgosurve politikë në Rusi, përfshirë gazetarin amerikan, Evan Gershkovich, dhe aktivistin opozitar, Vladimir Kara-Muzza.
“Në njërën anë, jemi të kënaqur që u shpëtuan jetë njerëzish”, kanë të afërmit e Khangoshvilit në një deklaratë të lëshuar nëpër avokatit të familjes. “Por jemi shumë të zhgënjyer që qartazi se nuk ka ligje as edhe në vende që e ngrehin në qiell sundimin e ligjit”.
Kancelari Olaf Scholz ka thënë se vendimi ishte i vështirë, por i domosdoshëm për të shpëtuar jetë, një pikëpamje e mbrojtur edhe nga ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann.
“Në rast dyshimi, gjithnjë zgjidhni lirinë”, ka thënë Buschmann.
Por kjo nuk do t’ua pushojë mëdyshjet atyre që ndjen dhimbjen nga fakti se një vrasës do të lirohej, një veprim të cilit Gjermania i kishte rezistuar kaherë – qysh e ka pranuar edhe vetë Joe Biden, shkruan Reuters.
“Kërkesat a kërkonin që të kisha koncesione të mëdha nga Gjermania, gjë që ata erdhën në përfundim se nuk mund ta bënin për shkak se ishte një person në pyetje. Por të gjithë u përfshinë”, ka thënë ai.
Edhe lirimi i tij ishte punë e ndërlikuar ligjore: Buschmann duhej t’i urdhëronte prokurorët të theksonin se më nuk dëshironin zbatimin e dënimit të Krasikovit me burgim – një veprim fort i pazakonshëm në rendin ligjor të Gjermanisë.
Shumëkush paralajmëroi se pasi ta lirojë agjentin e tij të njohur, presidenti rus, Vladimir Putin, mund të provojë të arrestojë perëndimorë të tjerë me qëllim që t’i përdorë për të nxjerrë të tijët e tjerë nga burgu.
“Këmbimi ua bën të qartë të gjithë se kushdo mund të kthehet arbitrarisht në monedhë kusuri të Putinit”, ka thënë Roderich Kiesewetter, specialist sigurie nga konservatorët opozitarë, raporton gazeta “Tagesspiegel”.
“Nuk mund t’i lëmë vrasësit e Putinit të dalin çdoherë, dhe nuk do t’i lejojmë. Të gjitha duhet ta rrënjosin këtë thellë në kokë para se të udhëtojnë”, ka thënë ai./Reuters
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com