Lirohet Stresi, i’u ofrua mundësia e dorëzanisë për të paguar 20 mijë euro
Prokuroria Themelore e Pejës, ka konfirmuar se Arkimed Lushaj, këngëtari shqiptar i njohur si Stresi, është liruar nga ndalimi prej 48 orësh i cili iu caktua të premten më 01.11.2024.
Lushaj pasi ishte paraqitur në stacionin policor, dje më 01.11.2024, ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, mirëpo siç njofton Prokuroia e Pejës, të njëjtit i është orfuar mundësia e dorëzanisë me shumën prej 20 mijë euro dhe pasi i kishte paguar të hollat, është liruar.
“Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ku gjatë seancës dëgjimore, prokurori i shtetit ka propozuar që pëveç paraburgimit, mund të ofrohet edhe mundësia e dorëzanisë, me ç’rast kjo kërkesë është aprovuar ku me shumën prej 20 mijë eurove të caktuar nga Gjykata Themelore në Pejë, i njëjti ka deponuar paratë e kërkuara dhe është liruar”- ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi për KALLXO.com.
I njëjti pas lirimit ka postuar një video duke u larguar nga qendra e paraburgimit në Pejë.
Sipas Nikçit, Lushaj dyshohej për ndihmë në kryerje të veprës penale lëndim të rëndë trupor, mirëpo meqenëse, sipas tij,pas pranimit të ekspertizave prokurori i shtetit ka vlerësuar se viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore, atëherë Nikçi thotë se Lushajt pritet t’i rikualifikohet vepra penale, në lëndim të lehtë trupor.
“Vepra penale me siguri që gjatë procesit hetimor do të rikualifikohet nga lëndim i rëndë, në lëndim i lehtë trupor”- ka thënë Nikçi, sot më 02.11.2024.
Arkimed Lushaj, me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lushaj ishte dorëzuar mëngjesin e së premtes , më 01.11.2024, në Policinë e Kosovës, në objektet e drejtorisë rajonale në Pejë.
Ai ishte shpallur në kërkim të Policisë më 06.08.2024 si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor.
Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Driton Rugova.“Rreth orës 09:00 në objektet e Policisë është vetë dorëzuar Arkimed Lushaj, i cili para disa muajve ishte shpallur në kërkim” – tha Rugova.Tutje ai shtoi se Lushaj aktualisht është duke u intervistuar dhe pas intervistimit do të vazhdohet me procedura të tjera.
Policia e Kosovës kishte kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të lokalizuar edhe këngëtarin tjetër nga Shqipëria, Rigels Rajkun, i njohur si Noizy, si dhe Bahtjar Bajraktarin, shtetas i Kosovës, të dyshuar për veprën penale – lëndim i rëndë trupor.Më pas, Policia e Shtetit më 07.08.2024 kishte arrestuar në Shqipëri Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari.
Reperi nga Shqipëria Noizy kishte reaguar më 06.08.2024, duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero” – tha Noizy në reagimin e tij.
Ai kishte thënë se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë të cilën pretendon që është duke u bërë ndaj tij.“Dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë” – tha reperi.
Ai tutje shtoi se bashkë me studio të avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.
Krejt në fund ai shtoi se është viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin.