Lirohet Nuredin Lushtaku në procedurë të rregullt

Të shtunën pas mesnatës, një inicident ka ndodhur ndaj dy zyrtarëve të policisë dhe disa personave e në mesin e të dyshuarve u raportua se është Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetar i Komunës së Skenderajt, bashkë me disa familjarë të tij. Nga ky incident sipas raportit zyrtar të Policisë, dy zyrtarë policor janë plagosur, njëri me armë e tjetri me mjete të forta.

Avokati i Nuredin Lushtaku, Artan Qerkini në një prononcim për KALLXO.com deklaroi se Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt.

“Z.Lushtaku është intervistuar pas ndalimit është liruar në procedurë të rregullt. Natyrisht rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit ne kemi kërkuar që hetimi i ketij rasti të jetë i plotë në mënyrë që të zbardhet e gjithë ajo cfarë ka ndodhur. E vetmja kërkesë e jona është që hetimi të jetë i plotë në mënyrë që të zbardhet rasti dhe pastaj do të shohim në përputhje me atë se çka ka ndodhur do të jetë edhe reagimi jonë në aspekt të përdorimit të mjeteve procedurale që i kemi në dispozicion bazuar në kodin e procedurës penale”, tha Qerkini per KALLXO.com

Policia e Kosovës ka deklaruar se dy zyrtarë policor janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën pas mesnatës.

Sipas policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.

Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

Nuredin Lushtaku për KALLXO.com ka mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.

Lushtaku mohoi që ata kanë plagosur policët. Sipas tij, armën e ka përdorur njëri polic.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku.

“Unë për vete as nuk kam pas armë e as nuk kam plagos kë, as djemtë e mij as vëllëzerit”, përsëriti Lushtaku.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

Si rrjedhojë thojnë se pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident.Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë  hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.