I dyshuari Dragisha Viqentijeviq shoqërohet nga Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës lidhur me caktimin e masës së sigurisë më 01.12.2024. Foto | Kallxo.com
Lirohet një nga të ndaluarit lidhur me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit
Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Kallxo.com më 02.12.2024 se është liruar njëri prej të ndaluarve për 48 orë lidhur me sulmin terrorist kundër kanalit të Ibër-Lepencit.
“I dyshuari D. M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Në përgjigjen e Prokurorisë është konfirmuar ndalimi i një të dyshuarit tjetër, përkatësisht J. V., më 01.12.2024, po ashtu nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me të njëjtin rast. Në shtëpinë e të njëjtit thuhet se është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.
Prokuroria mëtej ka konfirmuar se lidhur me rastin e ndodhur në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, më 30.11.2024, Policia, në koordinim me Prokurorinë Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.
Sipas përgjigjes në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Prokuroria ka konfirmuar se veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.
Kallxo.com raportoi se Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e sotëm (02.12.2024) ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët ka diskutuar lidhur me situatën në vend pas sulmit terrorist që u bë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29.11.2024.
Pas këtij takimi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur se SHBA-të e dënojnë fuqishëm “sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës”, e cila ka vënë në rrezik furnizimin me energji elektrike në vend, ngrohjen dhe ujin e pijshëm.
“Kryeministri Kurti na ka ftuar për një bisedë dhe një informim nga qeveria për sulmin e tmerrshëm në mbrëmjen e së premtes” – tha Hovenier.