Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lirohet nga spitali i mituri që u ther me thikë sot në Prishtinë

Një i mitur i cili ka mbetur i lënduar pasi është therrur me thikë nga një i dyshuar po ashtu i mitur sot në Prishtinë, është liruar për në shtëpi.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Naser Syla, mjeku kujdestar në QKUK.

“Nuk ka qenë diçka rrezik [gjendja shëndetësore], dhe e kemi liruar për në shtëpi”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, ngjarja ka ndodhur sot në afërsi të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Lajmin e kishte konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 14:45 është raportuar për një lëndim trupor të ndodhur në afërsi të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes prej nga viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, tha Borovci për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se i mituri është shoqëruar në stacionin policor.

“Ndërkohë që ka shoqëruar në stacionin policor një të mitur që dyshohet të ketë shkaktuar lëndimin trupor të viktimës me një mjet të mprehtë. Aktualisht policia ka iniciuar në hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.

Therje me thikë në afërsi të shkollës ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë