Lirohet nga paraburgimi edhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, i dyshuar në rastin “Brezovica”

Edhe një i dyshuar tjetër për rastin “Brezovica” është liruar nga paraburgimi.

Bëhet fjalë për kryeinspektorin të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bedri Halimi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

“Po, është liruar nga paraburgimi. I është caktuar masa e ndalimit që të kontaktojë me persona të tjerë”, ka thënë Maloku për KALLXO.com.

Halimi ishte arrestuar më 6 janar 2022 nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për të dhe për dy të dyshuar tjerë, ish-sekretarin e MMPHI-së, Arben Çitaku dhe qytetarin Ismet Asllani, vetëm një ditë më pas Gjykata e Ferizajt kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

KALLXO.com para pak orësh ka raportuar se edhe Ismet Asllani është liruar nga paraburgimi.

Këta tre persona ishin arrestuar gjatë operacionit të rastit “Brezovica” më 6 janar.

Ky operacion ishte kryer në disa lokacione në tri komuna të vendit si dhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lirohet nga paraburgimi Ismet Asllani, i dyshuar në rastin “Brezovica”