
Zvecan, protestuesit sulmojne gazetarin 31.05.2023
Lirohet nga paraburgimi Dalibor Spasiq, ishte arrestuar për sulm ndaj gazetarëve në Zveçan
Policia e Kosovës para një muaji kishte arrestuar Dalibor Spasiqin, i cili dyshohet për sulmet ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në maj dhe qershor në veri të vendit.
Ai sot është liruar nga paraburgimi.
Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga avokati i tij, Sërgjan Mitroviq.
Avokati tha se Spasiq është liruar pasi ka paguar dorëzani.
Spasiq dyshohet se është në mesin e personave që më 31 maj ka sulmuar fizikisht gazetarin e Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi, gjatë përcjelljes së protestës në Zveçan.
Gazetarit Zariqi fillimisht i ishte thënë të mos xhirojë e më pas protestuesit i kishin shkuar nga mbrapa duke e goditur në bark.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar më 17 qershor se Dalibor Spasiq ishte arrestuar në Jarinjë.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic. Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës” – kishte shkruar Sveçla në Facebook.
“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste” – kishte shtuar tutje ai.
I arrestuari sot nga Policia, dyshohet për sulmin ndaj gazetarit të RTV 21 në Zveçan