Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Lirohet nga detyra drejtori i Urbanizimit të Komunës së Skenderajt

Komuna e Skenderajt ka liruar nga detyra drejtorin e Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit, Zymer Delija.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Zyra për Informim e Komunës së udhëhequr nga Fadil Nura.

Sipas tyre, Delija ka kërkuar nga kryetari i Komunës qe ta lirojë nga detyra për shkak të angazhimeve të mëdha private qe ai i ka në biznesin e tij familjar.

“Është e pavërtetë qe drejtori i urbanizmit është shkarkuar nga detyra. Ai ka kërkuar nga kryetari i komunës qe ta lirojë nga detyra për shkak të angazhimeve të mëdha private qe ai i ka në biznesin e tij familjar, prandaj kryetari i komunës z. Fadil Nura e ka mirëkuptuar këtë kërkesë duke e liruar nga detyra e drejtorit te Urbanizmit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Skenderajt.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zymer Delijën, i cili konfirmoi se ka qenë ai që ka kërkuar lirimin nga detyra për shkak të obligimeve familjare.

“Kam kërkuar vetë lirim nga detyra dhe më ka liru kryetari me mirëkuptim të plotë. Plotësisht është puro personale”, u shpreh Delija.

Kryetari Nura njoftoi se pasardhës i Zymer Delijajt do të jetë Driton Mulaj.

Më 29 nëntor 2021, kryetari i Skenderajt Fadil Nura e kishte prezantuar Zymer Delijajn si drejtor të Drejtorisë së Urbanizimit.

Kryetari në ardhje i Skenderajt publikon ekipin e drejtorëve komunalë

www.kallxo.com