(Ilustrim) Shaban Gogaj i përcjellë nga Njësia për Bartjen e të Burgosurve - Foto: KALLXO.com
Lirohet nga burgu Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt
Avokati Besnik Berisha ka konfirmuar se është liruar Shaban Gogaj, i dënuar për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt në vitin 2018.
Berisha ka thënë se lirimi i Gogajt është bërë me vendim të Gjykatës Supreme.
“Meqë kam thirrje e mesazhe të shumta për të konfirmuar nëse Shaban Gogaj është liru nga burgu, për korrektësi, ndonëse nuk e kisha ndërmend ta beja temë e as nuk mëtoj të krekosem për këtë vendim, përgjigja është PO, Shaban Gogaj është liru dje nga Burgu i Dubravës dhe lirimi i tij është bërë me vendim të Gjykatës Supreme. Ashtu siç e kam thënë ndër vite, vrasja e Agonis Tetaj ishte një fatkeqësi që goditi se paku dy familje, por u konfirmua përfundimisht se vrasja ndodhi nga pakujdesia dhe për këtë verdikt final u shpreh drejtësia. Shaban Gogaj u lirua nga burgu, por jo edhe nga dhimbja shpirtërore për humbjen e shokut e kolegut, Agonis Tetaj. Agonis Tetaj është i gavruar në mendjen dhe shpirtin e Shabanit përjetësisht! Zoti e forcoftë dhe e bekoftë familjen e tij!”- ka shkruar në Facebook, Besnik Berisha, avokati i Gogajt.
Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.
Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdeisa dhe për armëmbajtje pa leje dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.
Agonis Tetaj ishte vrarë nga Shaban Gogaj në vendin e tij të punës, në shtator të vitit 2018.