Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Lirohet nga akuza mbrojtësi i viktimave, akuzohej se mori para nga e dëmtuara

Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare përfaqësuesin e mbrojtjes së viktimave, Arlind Popaj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati tij, Arlind Jupolli, i cili ka thënë se në mungesë të provave Popaj është shpallur i pafajshëm.

“Sot, Gjykata e Prishtinës ka marrë aktgjykim lirues ndaj Arlind Popajt, ku Gjykata duke u bazuar në shkresat e lëndës nuk ka gjetur prova se i njëjti ka kryer veprën penale më të cilën u ngarkua nga organi i akuzës”, ka thënë Jupolli.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues – gjyqtari Alban Ajvazi.

Tutje avokati ka sqaruar se në këtë rast  paratë që pretendohej se janë marrë i akuzuari i kishte marrë hua dhe jo për të kryer apo mos ta kryer detyrën zyrtare.

Sipas avokatit Jupolli, kjo ishte hera e dytë që Gjykata shqiptonte dënimin lirues ndaj Popajt  dhe në këtë rast Prokuroria, sipas tij, nuk do të paraqiste ankesë pasi nuk kishte prova se i njëjti ka kryer veprën penale.

Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës më 10 shkurt 2021 e kishte shpallur fajtor Popajn dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 1,500 eurosh. Kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte paraqitur Prokuroria e Prishtinës për shkak të vendimit mbi dënimin.

Prokuroria i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që ta ndryshonte aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqiptonte dënim më të rëndë me burgim si dhe dënim plotësues.

Mirëpo, më 18 gusht 2021, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallë të parë ku Popaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.

Anulohet vendimi për hedhjen e aktakuzës ndaj mbrojtësit të viktimave, rasti kthehet në rivendosje

Ndërsa, më 24 qershor, Gjykata kishte nxjerrë aktvendim me të cilin e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, Arlind Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, në cilësinë përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës,  kishte kërkuar nga vëllai i të dëmtuarës F.P., e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3 mijë eurove në formën e borxhit edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk ishte njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.

Në aktakuzë ishte thënë se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk e kanë pasur shumën prej 3 mijë eurove, mirëpo, e dëmtuara paratë e kursyera të djalit të saj në shumën prej 1 mijë e 400 eurove, ia kishte dhënë përmes vëllait të saj të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit.

Tutje sipas Prokurorisë ishte përmendur edhe një shumë prej 90 eurove, të cilën pretendohej se i akuzuari e kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar t’i shërbejnë të akuzuarit, duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psikike nga ana e burrit të saj.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.