Lirohet nga akuza ish-zyrtarja e metrologjisë në rastin e njehsorëve“Kohler”

Vjollca Ajvazi, ish-zyrtare në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës.

Kjo pasi gjykata konsideroi se nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se zyrtarja në mënyrë të jashtëligjshme kishte rekomanduar licencimin e një njehsori të tipit “Kohler”.

E bashkë me Ajvazin akuzohej edhe zyrtari i KEDS-it, Avni Alidemaj por i njëjti ishte liruar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e shkallës së parë më 28 maj 2018, kishte shpallur fajtorë Vjollca Ajvazin dhe Avni Alidemajn për veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare duke i dënuar me nga 6 muaj burgim.

Ndërsa për veprën penale të mashtrimit ishin liruar nga akuza.

Ne aktakuzën e këtij procesi gjyqësor ishte përfshirë edhe emri i Drita Hamitit por prokurori i çështjes Hivzi Bajrakatri kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj saj.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti akuzohej se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.