Foto: KALLXO.com

Lirohet nga akuza ish-drejtori i Kadastrit në Mitrovicën e Veriut

Në Gjykatën e Mitrovicës ka përfunduar spt procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit Branisllav Klajiq, ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Mitrovicës së Veriut

Pas administrimit të provave, mbrojtjes së të pandehurit dhe dhënies së fjalës përfundimtare, Gjykata ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit Klajiq, të cilin e ka liruar nga akuza për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Bekim Veliqi.

Shpenzimet procedurale bien mbi Gjykatën, ndërsa pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në procedurë civile.

Palët kanë të drejtë ankesë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Paraprakisht prokurorja e rastit, Fetije Bajrami Shala, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, ndërsa duke elaboruar të njëjtën më gojë ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin Branisllav Klajiq ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Po ashtu, prokurorja në fjalën përfundimtare ka theksuar se të dëmtuarit Izet Maxhera për pesë vite sa nuk kishte arritur ta regjistrojë pronën-lokalin në veri të Mitrovicës i ishin shkaktuar dëme materiale mbi 67 mijë euro.

”Pas blerjes se pronës i dëmtuari Izet Maxhera i është drejtuar disa herë me kërkesa Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, gjegjësisht drejtorit te atëhershme tani të pandehurit Branisllav Klajiq për regjistrimin e pronës. I dëmtuari asnjë herë nuk ka marrë përgjigje me shkrim për refuzimin e kërkesës apo aprovimin e kërkesës se tij. Të dëmtuarit i janë shkelur të drejtat e garantuar me Kushtetutë sepse edhe e drejta e pronës është e drejte e garantuar, pasi që për 5 vite nuk ka mundur të regjistrojë pronën në emër të tij”, ka thënë prokurorja Bajrami.

Ndërsa i dëmtuari Izet Maxhera ka deklaruar se e mbështet fjalën përfundimtare të Prokurorisë, duke iu bashkuar ndjekjes penale.

“E përkrah fjalën e prokurores, i bashkëngjitem ndjekjes penale të të akuzuarit dhe i propozoj gjykatës të dënohet sipas ligjit. Sa i përket kompensimit kërkoj që të më kompensohet dëmi që e kam llogaritur, shuma është 67.061,22 të ma kompensojë i akuzuari dhe Komuna se i njëjti ka qenë person zyrtar i Komunës “, tha i dëmtuari Maxhera.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Klajiq, avokati Dejan Vasiq, i ka propozuar Gjykatës që të refuzojë akuzën dhe për të mbrojturin e tij të marrë aktgjykim lirues.

Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, Klajiq akuzohet se prej vitit 2013 e tutje, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.

Tutje në aktakuzë thuhet se pasi i dëmtuari Izet Maxhera, në vitin 2012, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte blerë një lokal afarist “Teuta Bare”, në rrugën “Ivo Lola Ribar”, e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, kishte bërë kërkesë në Zyrën kadastrale të kësaj Komune për të regjistruar pronën dhe pasi nuk kishte marrë përgjigje i ishte drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) për regjistrimin e pronës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, AKK-ja kishte sjellë konkluzion se Drejtoria për Kadastër në Komunën e Mitrovicës Veriore kishte bërë heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të drejtave të pronësisë së paluajtshme.

Kurse i pandehuri Branisllav Klajiq nuk e kishte zbatuar vendimin e AKK-së dhe të dëmtuarit Izet Maxhera i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 67.061,22 euro.

Me këtë, Klajiq akuzohet se ka kryer veprën penale -keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.